Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje po protestojnë në Tiranë kundër vizitës së Presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Aktivistët janë mbledhur përpara hotel “Rogner” me pankarta në duar duke protestuar për praninë e Presidentit të Serbisë në vendin tonë.

Me parrullat “Shqipëria nuk harron”, “atdheu nuk privatizohet”, protestuesit thanë se Presidenti Vuçiç nuk duhet të jetë në Tiranë.

Protesta e aktivistëve të Vetëvendosjes përpara hotel “Rogner” ka shtuar edhe praninë e forcave të policisë, por nuk janë shënuar incidente.

Në Tiranë do të mbahet samiti i tretë i Shengenit Ballkanit, ku marrin pjesë Kryeministri Edi Rama, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Nga ana tjetër, Kosova e ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë samit për shkak të pranisë së Serbisë.

Ka qenë vetë Presidenti Hashim Thaçi që njoftoi refuzimin e ftesës me argumentimin se Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën dhe po punon kundër interesave të saj. /tvklan.al