Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë Rama se me votën kundër SHBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, është votuar kundër interesit kombëtar.

Duke votuar kundër SHBA, qeveria ka vepruar kundër interesit kombëtar të shqiptarëve. Interesi i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar, deri më sot, janë shërbyer në avancimin e tyre nga një aleat strategjik dhe ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa SHBA-të Kosova sot nuk do të ishte as e lirë, as e pavarur. Kjo është bindja ime. Pa SHBA-të, Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s. Natyrisht, që ne synojmë të arrijmë në një stacion tjetër që është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Për sa kohë që Bashkimi Europian nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme dhe, në dijeninë time, ne kemi vende të Bashkimit Europian, të cilat kanë votuar krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk kishte asnjë arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrim dhe të mos vazhdonte bazimin e politikës së saj të jashtme, në lidhje me çështjet e saj kryesore të Lindjes së Mesme, tek qëndrimi i amerikan. Jo për të mbajtur flamurin se si duhet të zgjidhet apo jo çështja e Jeruzalemit apo konflikti Palestinë-Izrael, por për të mbrojtur interesin kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe interesin kombëtar të kombit shqiptar”

, tha Basha në studion e “Opinion” në Tv Klan.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar të enjten një rezolutë që i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të tërhiqet nga vendimi i saj për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Rezoluta jodetyruese u miratua nga 128 shtete, 9 votuan kundër dhe 35 vende abstenuan. Mes vendeve që votuan kundër SHBA-së dhe pro rezolutës së OKB është edhe Shqipëria.

Basha tha se për “

çështjet e Lindjes së Mesme Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite një qëndrim të rreshtuar gjithmonë me qëndrimin amerikan. Këtu e kam lënë unë si ministër i Jashtëm dhe në dijeninë time deri sot këtu ka qenë. Sot për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim, ndryshe nga sa thotë z.Bushati. Për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me qëndrimin e shumicës së vendeve të Bashkimit Europian. Qëndrimi im personal është që ky është një qëndrim i gabuar. Arsyeja pse e them këtë nuk është as partizane, as pasionante dhe as nuk ka të bëjë me thelbin e çështjes. Sepse thelbi i çështjes është tepër i madh për t’u gjykuar nga cilido shqipfolës.

/tvklan.al