Është viti i 15-të i Shqipërisë në Eurosong. E megjithatë në gjithë këto vite, duket sikur vendi ynë s’ka ditur të kërkojë më larg se dy variante këngësh për në festivalin më të madh të muzikës evropiane. Ose produkte muzikore me motive folklorike, ose eksperimente nga ato me të cilat publiku shqiptar nuk ishte mësuar.

Në vitin 2004, Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare e Europian Broadcastin Union, që mund ta keni dëgjuar shpesh me akronimin EBU. Kjo na mundësoi më në fund, të drejtën për të çuar artistët tanë në Eurosong.

Në prag të garës në Barcelonë, është koha që të bëjmë një retrospektivë të të gjitha përfaqësimeve duke zbuluar disa detaje që ndoshta nuk i dinit.

E para shqiptare që provoi ethet e garës para qindra miliona shikuesve, ishte fituesja e sapocelebruar e “Etheve” në atë kohë, Anjeza Shahini. 

Debutuese në arenën evropiane të muzikës, performanca e “The Image of You”, me 4 back vokaliste që mbanin ritmin me duar dhe këngëtaren e veshur kuqezi, nuk mund të bëhej më naive. Megjithatë kënga arriti të renditej e shtata në skenën finale të Stambollit.

Krejt të kundërtën tentuam vitin e dytë. Një paraqitje me motive sa patriotike aq edhe ekstravagande.

Ledina Çelo me hiret e saj zbuluar, shoqërohej në skenë nga kërcimtarë me daulle. Por, fabula tejet shqiptare e nuses, e cila vajton largimin nga familja, nuk i bëri përshtypje europianëve. “Tomorrow I Go” as e justifikoi finalen, ku ishte kualifikuar automatikisht falë pikëve të Anjezës një vit më parë.

Pa zënë mend, Luis Ejlli pasoi stafetën e orvatjeve për origjinalitet. Me gajde, opinga dhe një kostum të bardhë si shoqërues dhëndri… sërish u skualifikuam.

Ai që mbetet ende sot i rendituri më dobët ndonjëherë në klasifikimin në bazë të votimit të shteteve, është Frederik Ndoci. I sapokthyer nga SHBA-të, Riku këndoi një këngë malli për atdheun, shoqëruar nga ish-bashkëshortja, e veshur si shandan. Lutjet për finale nuk u dëgjuan, duke përfunduar i 17-ti në gjysmëfinalen e Helsinkit.

Më në fund, në finalen e Beogradit na ktheu 17-vjeçarja Olta Boka. Balada “Zemrën e lamë peng”, me një performancë klasike si në veshje, ashtu edhe në elementet skenike, mori kritika pozitive. E megjithatë, në fund nuk ia doli të pozicionohej më lart se vendi i 17-të.

Një vit më vonë në 2009-ën, Kejsi Tola me “Carry me in your dreams”, ishte ndoshta tentativa më serioze për një performancë tipike Eurovision-i. Me një look Barbie, surpriza ishin këmbet elegante të Kejsit dhe koreografia e realizuar nga Julian Bulku, një balerin profesionist i kërcimeve në Eurosong. Kejsi, 17-vjeçare, ia doli të kualifikohej në finale.

Por atje pati të njejtin fat si edhe Olta, duke u renditur e 17-ta.

Një frymë ndryshe të muzikës pop solli Juliana Pasha me “It’s all about you”. Motivet elektronike të ndërthurura me violinën dhe zërat black të back vokalistëve, u duk sikur do të thyenin mallkimin e vendit të 17-të. Ndryshe nga sa e përcakton rregullorja, me një seri provash në skenë për të qenë sa më të përpiktë, në rastin e Julianës u bë një lëshim.

Një vit më vonë në 2011-ën, ndonëse e konsideruar divë e skenës shqiptare, Aurela Gace me “Feel the Passion” riktheu ngërçin e gjysmë-finales, pa mundur të prekë finalen e Dusseldorf-it.

Pa fat qenë edhe Bledar Sejko dhe Adrian Lulgjuraj. Dy rokerët tentuan risi duke ndërthurur kitarën elektronike me motive folklorike shqiptare. Por as flakët në skenë nuk i ndezën dot shpirtrat e publikut në Suedi.

Me dorëheqjen e Petrit Becit, një vit më vonë RTSH-ja pa drejtues u duk sikur kishte halle më të mëdha se Eurosong-u. “One Night’s Anger” e Hersi Matmujës, thuajse nuk u promovua fare. Nxënësja ekselente e konservatorit të kantos në Romë zbriti nga piedestali, pa mundur të kalojë në finale.

Një fitore plot polemika në Festivalin e Këngës qe ajo e Elhaida Danit me “Diell”, në vitin 2015. Kompozimi i producentit Aldo Shllaku, nuk e pati fatin të ndriçonte në Eurosong. Pas përplasjeve për autorësinë e këngës, Aldo vendosi të tërhiqej.

Dhe meqë gozhda del me gozhdë, Elhaida e zëvendësoi Shllakun në kohë rekord me dyshen e suksesshme të producentëve nga Prishtina, Zzap n Chris. Kënga e re “I’m alive”, në skenën e Vienës iu la tërësisht në dorë interpretimit të fitueses së “The Voice of Italy”. E ndonëse arriti kualifikimin e shumëkërkuar, Elhaida ra përsëri në kurthin e vendit të 17-të në finale.

Për herë të parë me një kompozitore femër në Eurosong, Eneda Tarifa u përpoq të sillte një atmosferë përrallash me “Fairytale”. Edhe pse e vlerësuar nga kritika për performancën vokale, këngëtarja nuk ia doli të kualifikohej në finalen e Stokholmit.

Por, më shumë se për pjesëmarrjen, Eneda Tarifa duket se do të mbahet mend për situatën humoristike që përcolli gjatë një interviste në anglisht.

Dora vetë, Dhurata Bejzade, drejtuese e delegacionit shqiptar në Eurosong për disa vite, flet për herë të parë për “Jo Vetëm Mode”. Këto janë prapaskenat e videos së famshme.

“Është për t’u thënë që këngëtarët tanë janë pritur shumë mirë. Vlerësimet pastaj janë pak subjektive sepse secila pjesë e Europës favorizon ata që njeh më mirë. Eneda komunikonte shumë bukur edhe anglisht, të gjithë mund të gabojnë në ndonjë moment edhe kur flasin në shqip, nuk ishte asgjë. Eneda komunikon shumë bukur anglisht. Këtu ka personalitete të politikës që nuk dinë të fasin as shqip e jo më anglisht. Detyra e delegacionit është të shoqërojë këngëtaren në të gjitha intervistat. Unë gjendem në atë sallë dhe sigurisht ndihmon nëse dikush ka nevojë. Eneda ishte shumë e lodhur pas intervistave dhe ajo që më kërkoi mua nuk ishte as ndihmë”,

tha Dhurata.

Hera jonë e fundit në Eurosong nuk shkoi më mirë. Lindita Halimi, një veterane në festivalet muzikore në vend, pasi dështoi të kalonte në finalen e American Idol, më në fund ia doli të kapte stafetën për t’u ngjitur në skenën europiane. Por kënga e saj “World”, as s’iu afrua finales së Kievit.

Në 15 vite ekspeditë për të gjetur stilin e duhur që funksionon në Eurosong, e vetmja këngë shqiptare që ia doli të mbërrinte 5-shen e më të votuarave, ishte “Suus”, një dedikim shumë personal i këngetarës kundër padrejtësive njërezore.

Nga një shkarkesë kritikash për stilin vajtues të këngës, pas interpretimit dinjitoz, Rona mori statusin e një heroi.

Po kaq emocionale njëkohësisht personale, duket të jetë edhe kënga “Mall”.

Ndoshta, sekreti në Eurosong nuk janë daullet, gajdet apo elementë të tjerë, që trumpetojnë kulturën dhe traditën shekullore të një vendi. Origjinaliteti, mbase duhet kërkuar tek të qenit vetvetja. Mbetet për t’u parë nëse Genti, njësoj si dhe Rona, do t’ia dalë të prekë zemrat e europianëve me krijimin personal “Mall”, në skenën e Barcelonës më 8 Maj.

/tvklan.al