Video/ Gabimi i farmacistes mund t’i kushtonte jetën pacientes

Video/ Gabimi i farmacistes mund t’i kushtonte jetën pacientes

20:53 22/02/2018

Valmira Bardhi tregon në emisionin “Stop” se pas vizitës së mamasë së saj 63-vjeçare, iu drejtua farmacisë “Mona” për të marrë ilaçet me recetë. Por farmacistja i ngatërroi medikamentet e për pasojë e ëma kalon 10 ditë në gjendje gjumi.

Farmacistja i kishte dhënë gabimisht dy ilaçe për gjumë. Në një ballafaqim me qytetaren, justifikohet duke i thënë se faji është i mjekut, të cilit ajo nuk i kuptoi shkrimin.

Ndërsa administratorja e farmacisë, Desdemona Bregu mori përsipër ekzaminimin e pacientes.

"Unë quhem Valmira Bardhi. Kam mamin 63 vjeç, e cila vuan nga hematoma në kokë, ka mpiksje gjaku. E çoj për vizitë të doktori dhe na jep recetën me ilaçe. Shkoj në farmaci, dorëzoj recetën, më tha që do bënte porosinë e mjekimeve dhe të shkoja t'i merrja më vonë. Shkoj në mëngjes t'i marr dhe ishte farmacistja punonjëse. Farmacistja nuk e kishte lexuar mirë llojin e ilaçit dhe nga 'ancopir' më jep 'diazepam', gjumësjellës. Ndërkohë që mami merrte gjumësjellës tjetër nga doktori, 'alprazolam' dhe u bënë dy gjymësjellës. Ia vazhdoj unë mamit, sipas asaj që më dha ajo, 2 kokrra në ditë 'diazepam' dhe 3 herë nga 5 pika 'alprazolam'.  Ishte super dozë e rëndë. Shihja mamin, në gjumë. Thashë t'ia heq vetë 1 kokërr 'diazepam' dhe pjesën tjetër t'ia jap se doktori ia ka dhënë për qetësim, gjumësjellës. Sa vinte e po rëndohej mami, vetëm në gjumë gjithë ditën. Ngrihesha e shihja a është a s'është gjallë".

Denocuesja tregon se komunikoi pas 10 ditësh me doktorin, i cili i tha që nuk i kishte dhëbë 'diazepam' në recetë, ndaj dhe duhej t'ia shkëpuste menjëherë të ëmës.

"Shkoj te farmacistja me recetë në dorë dhe i them: 'Të lutem mund të ma lexosh pak këtë?' S'më kthente përgjigje. I thashë me ç'të drejtë mund t'i japësh 'diazepam' në vend të 'ancopirit', multivitamin. Më thotë që janë gjëra që ndodhin, s'e gjeti gjë dhe kaq".

E ëma e Valmirës rrëfen se ndihej keq kur konsumonte 'diazepam' dhe se flinte shumë gjatë gjumë.  

"Ndihesha e mpirë, harroja çdo gjë, e humbur...",

u shpreh ajo.

Gazetarja e emisionit "Stop" së bashku me denoncuesen i drejtohen këtij subjekti për të pyetur farmacisten se përse dha një ilaç tjetër, kur nuk e dëshifronte dot shkrimin e mjekut për të dhënë ilaçin e duhur që ishte në recetë. Por farmacistja nuk pranon të përgjigjet dhe largohet.

Në një ballafaqim me Valmira Bardhin, farmacistja shumë e frustruar bërtet duke fajësuar mjekun.

Qytetarja - Lexoje!

Farmacistja - 

Ajo recetë është e jotja, nuk është e imja. S’ke pse ma sjell këtu!

Qytetarja - Ti ma dhe ilaçin.

Farmacistja - 

Unë nuk mbaj përgjegjësi, nuk mbaj përgjegjësi. Atë ilaç e ka shkruar doktori, nuk e kam shkruar unë. Ma sill këtu doktorin, ballafaqohemi edhe flasim

!

Qytetarja - E diazepam

 

nuk lexon këtu.

Farmacistja - 

Ma sill doktorin, ta shkruaj atë recetë, pastaj ballafaqohemi!

Qytetarja - Dy gjumësjellës! Çfarë farmaciste je ti, ça shkolle ke mbaruar?

Pas reagimit të farmacistes, administratorja e farmacisë, Destemona Bregu pranoi përgjegjësinë dhe shpjegoi se ky ka qenë një gabim njerëzor.

"Unë kam shkuar e kam diskutuar nga afër me pacienten. I kam kërkuar falje dhe i kam thënë të shkojë të flasë me doktorin Eris Ranxha. Në qoftë se doktori që ka lëshuar recetën, i cili është në dijeni të këtij gabimi, mendon se duhet të bëhen vizita të imtësishme, eko zemre e çdo lloj gjëje, ia mbuloj unë. Duke qenë se është gabim i farmacistes dhe i farmacisë sepse farmacia është e imja dhe drejtuese teknike jam unë, kështu që përgjegjësinë patjetër që e mbaj unë. Ia mbuloj unë (shpenzimet) nëse doktori e shikon të arsyeshme që duhen kryer vizita".  

Valmira Bardhi tha se do ta çojë të ëmën te mjeku, në mënyrë që të ekzaminohet, për të parë nëse ka ndikuar në shëndetin e saj mendikamenti i gabuar.

Gazetarja e emisionit "Stop" komunikoi me neurologun Hajri Gerbi, i cili shpjegoi tre medikamentet që ishin vendosur në recetë. Ai u shpreh se përdorimi i "desapamit" nuk ka ndikuar në shëndetin e pacientes.  

Neurologu -

Ky është një gabim teknik, por që për fat të mirë është pa pasoja sepse këto dy medikamente janë të ngjashëm me njëri - tjetrin, por janë në doza të vogla. Mund të japin efekt anësor këputje trupore ose përgjumësi, por nuk bëjnë dëme të tjera shëndetësore.

 

Gazetarja - Ndodh shpesh që farmacistët të bëjnë këtë lloj gabimi?

Neurologu -

E vërteta është që ndodhin shpesh. Unë për vete kam eksperiencë, më ka ndodhur disa herë kjo. Por kam një vetëpërkujdesje sepse në vulën time kam vendosur edhe numrin e telefonit. Sa herë që farmacistët nuk dëshifrojnë shkrimin, marrin në telefon dhe më pyesin se cili preparat është. Ky bashkëpunim i mjekut me farmacistin duhet të jetë.

Gazetarja - Pra, nuk kemi nevojë që pacientja t'i nënshtrohet një ekzaminimi të hollësishëm për këtë rast?

Neurologu - 

Jo, për këtë rast. Fatmirësisht është një rast shumë i lehtë që nuk ka rëndësi fare.

Siç tha dhe neurologu, duhet të ketë një bashkëpunim mes mjekut dhe farmacistit, pasi mund të ndodhë që një gabim njerëzor të kthehet në fatal për pacientin.

/

tvklan.al

Të ngjashme
UKT