Shpeshherë ne harrojmë që janë gjërat e vogla dhe të përditshme që bëjnë jetën tonë dhe jeta e Enkelejdës, ishte bërë gati e padurueshme, pasi shoqja e saj e dhomës gërhiste. Ndaj Ana e pa të arsyeshme që t’i kërkonte një falje publike në programin “Ka një mesazh për ty” dhe t’i premtonte që herët a vonë kjo gjë do të merrte fund. Mjafton që të priste të bënte paratë për një operacion ndërkohë t’i ikte edhe frika sepse Ana kishte shumë frikë.

Por në emision ndodhi ajo që nuk pritej, mjeku i mirënjohur Skerdi Faria, mori përsipër operacionin që jo vetëm i ka hequr problemin e gërhitjes, por i ka përmirësuar edhe hundën Anës.

Historia e plotë e Anës: 

Ana ndan qiranë e shtëpisë me shoqen e saj të ngushtë Enkeledën dhe marrëdhënia mes tyre është shumë e mirë. Por Ana ka një problem me frymëmarrjen dhe duhet të operojë hundën sepse gërhitja e saj nuk e le shoqen të flejë.

E pranishme këtë të diel në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek “E Diela Shqiptare”, Ana kishte ardhur për të për të falenderuar për durimin Enkeledën dhe për t’i kërkuar mbështetjen e saj edhe për operacionin në hundë, të cilin rrëfeu se e kishte me frikë.

“Unë quhem Ana. Jam nga Korça dhe prej disa vitesh jetoj në qytetin e Elbasanit, sepse punoj aty, ekonomiste në një biznes privat. Si fillim kam jetuar tek të afërmit e mi. Me Elbasanin më lidhin shumë gjëra sepse kam mamin nga aty. Siç e thashë fillimisht jetova tek të afërmit e mi, më pas takova Enkeledën”.

Pas disa kohësh, vajzat u bënë shumë mikesha dhe vendosën që të ndanin bashkë të njëjtën shtëpi, ku jetuan për 7 muaj.

“Unë para tre vitesh kam pësuar një aksident të lehtë fatmirësisht, një shembje në shpatull dhe një devijim të kockës së hundës, gjë e cila më la me probleme me frymëmarrjen, unë nuk marr dot frymë një qind përqind nga hunda. Kjo më krijon probleme gjatë natës edhe gërhas pak, pak si shumë…”

Enkeleda e duroi për 7 muaj mikeshën e saj dhe shpesh gjatë natës shkonte të flinte në dhomë të ndenjes. Për shkak se Ana aktualisht është pa punë, shoqet kanë dy muaj që nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi.

Por gjërat u bënë më të qarta për Anën, kur Enkeleda e ftoi në shtëpinë e prindërve të saj dhe ato fjetën në një shtrat.

“Kur zgjohem në mëngjes e shoh të mbështetur tek krevati dhe i ishin fryrë sytë aq shumë sa për një moment u tremba, thashë se ka qarë gjithë natën. Por në fakt ajo nuk ishte fjetur gjithë natën. Aty e pyes dhe për herë të parë marr përgjigjen që ‘nuk kam mundur të fle për këtë arsye’. Jam ndier realisht keq”.

Kështu, Ana vendosi që t’i japë zgjidhje problemit të saj me frymëmarrjen dhe të kryejë një operacion. Në studio ajo rrëfen se ka menduar të marrë një kredi për të përballuar operacionin.

Ajo e ka ftuar mikeshën e saj Enkeleda tek “Ka një mesazh për ty” për t’i thënë që të bëjë edhe pak durim me problemin e gërhitjes, si dhe ta falenderojë për durimin e treguar.

Në studion e “E Diela Shqiptare”, Enkeleda sapo pa Anën në anën tjetër të ekranit tha: “Kjo është motra ime”.

“Ti e di shumë mirë që, që prej aksidentit unë kam problem me frymëmarrjen. Ne pasi vendosën që jetuam bashkë, ty të është dashur ta durosh këtë gjë sepse ne ndanim një dhomë dhe ty të është dashur ta durosh dhe nuk je ankuar asnjëherë, për këtë të falenderoj, sepse e di që e ke bërë që të mos më vesh mua në siklet dhe që të mos më bësh të ndihem keq”

, tha Ana.

“Përderisa ne kemi vendosur që ta quajmë njëra-tjetrën motra, ti e di që problemi jot është edhe i imi”

, tha Enkeleda.

Megjithatë, Ana i tregoi shoqes së saj që ka menduar që ta kryejë operacionin në hundë dhe se do të marrë një kredi. “Por kam edhe pak frikë… edhe pak të më ndihmosh për frikën”, tha Ana.

Por ajo që vajzat nuk dinin, ishte se Ardit Gjebrea kishte ftuar dikë për t’i hequr frikën Anës për operacionin.

Kështu në studio erdhi doktori i mirënjohur Skerdi Faria. Ai shpjegoi se përse Ana nuk duhet të ketë frikë për këtë lloj ndërhyrjeje.

“Ana duhet të rrijë e qetë sepse tashmë kemi një eksperiencë kaq të madhe sa i bëjmë me ‘sy mbyllur’. Kemi bërë mbi 3500 ndërhyrje kirurgjikale të hundës si klinikë. Jemi klinika më e madhe e kirurgjisë plastike në të Ballkanin. Kemi 8 kirurgë që shkojnë e vijnë nga Italia ku dy prej tyre janë dhe kirurg orl, otorino. Ana është në duar të sigurta”.

E përveç frikës, Dr. Skerdi Faria i hoqi Anës edhe barrën financiare, pasi në studio ai tha se do të jetë Klinika Keit që do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet kirurgjikale të saj.

Falë ndihmesës së doktor Skerdi Faria dhe programit “E Diela Shqiptare” tashmë Ana ka një shans të rikuperojë problemin shëndetësor dhe dy mikeshat do të mund të vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi./tvklan.al