Persona të paidentifikuar kanë vjedhur një sasi parash dhe valutë në kasafortën e Postës së Krujës.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të hëne, ndërsa vjedhja nuk ishte raportuar në polici. Ngjarja u konstatua kur në zyrë shkuan punonjësit, të cilët panë kasafortën të hapur. Pas veprimeve hetimore, policia ka arrestuar 51-vjeçarin me iniciale B.P., roje private në këtë postë.

Ai nuk njoftoi Komisariatin e Krujës pas vjedhjes dhe as patrullën në momentin kur këta të fundit kaluan dhe e pyetën nëse kishte problem. Gjatë marrjes në pyetje, roja 51-vjeçar ka thënë se nuk lajmëroi uniformat blu pasi ishte kërcënuar nga autorët e vjedhjes së parave. Gjithashtu, për këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe 28-vjeçari me iniciale S.T, i cili është specialist i sallës operative të shoqërisë private të sigurisë. Ai akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk ka njoftuar Policinë e Shtetit.

Një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për hetimin e vjedhjeve me dhunë dhe krimeve kundër pasurisë, po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Hetimet për këtë ngjarje po kryhen për veprën penale vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim. /tvklan.al