Rusia ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me praninë e Kievit në aleancën veriatlantike

Një ditë pas samitit që u mbajt në Gjenevë, Kremlini ka dhënë disa sinjale të tjera kërcënuese. Zëdhënësi për Moskën, Dmitry Peskov është shprehur se vija e kuqe për të cilën Putin foli gjatë takimit me Biden përkon me anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Duke folur në stacionin radio “Ekho Moskvy” Peskov u shpreh se Rusia është e shqetësuar nga bisedimet se Kievit një ditë mund t’i sigurohet një plan për anëtarësim në aleancën veriatlantike. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë se ai ka kërkuar përgjigje të qartë po ose jo nga Bideni sa i përket planit për anëtarësim të Ukrainës në NATO.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2.5 miliardë dollarë si ndihmë për sigurinë në Ukrainë nga viti 2014, kur Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe ka mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës, duke nxitur dhunë,  nga ku kanë humbur jetën mbi 13,000 persona.

Mirëpo Biden ka thënë se Kievi duhet të luftojë korrupsionin dhe të përmbushë kritere tjera para se të anëtarësohet në NATO. Peskov ka thënë se Moska është duke ndjekur me kujdes përpjekjet e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO.

Tensionet në mes të Ukrainës dhe Rusisë janë rritur në muajt e fundit, pasi të dyja shtetet fajësojnë njëra-tjetrën për rritje të luftimeve në lindje të Ukrainës dhe bllokim të bisedimeve për paqe në mes të Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Kremlini.

Muaj më parë, Rusia vendosi 100,000 trupa në kufirin e saj perëndimor me Ukrainën hap që është dënuar nga Perëdimi. Ndonëse Moska ka thënë se ka tërhequr trupat, Uashingtoni dhe Ukraina besojnë se tërheqja nuk është e plotë.

Klan News