Një i sëmurë në fshatin Ferras të Fierit është shpëtuar nga forcat e armatosura dhe skuadra e shpëtimit të Kosovës.

Më herët edhe tre familje të tjera në këtë fshat u evakuuan me ndihmën e ushtrisë. Zonat që shtrihen përgjatë lumit Vjosë janë ato ku vijon operacioni për evakuimin dhe sistemimin e banorëve të prekur nga përmbytjet. Për shumë banorë të Fierit dhe Vlorës kjo do të jetë nata e dytë që do të flenë tek të afërmit apo qendrat e strehimit.

Dalja nga shtrati e lumit në afërsi të Mifolit bëri që uji të përmbytë sipërfaqe të tëra në fshatrat Fitore, Bishan, Ferras, Poro dhe Frakull. Në këtë zonë gjatë paradites ka patur prani uji në 300 banesa dhe 1,000 ha tokë.

Situatë mjaft e rënduar është edhe në Novoselë pasi prurjet e lumit janë mjaft të larta. Uji në disa banesa shkoi deri në 2 metra. Nga të dhënat mësohet se janë evakuuar 92 familje në fshatin Fermë dhe Fitore. Në ndihmë të banorëve janë 450 forca të ushtrisë, për të ndërhyrë në çdo moment. Shtabi i emergjencës në Vlorë konfirmon se situata mbetet kritike pasi niveli i Vjosës është duke u rritur.

Vjosa përgjatë fshatrave të Fierit ka dalë nga shtrati 1 metër. Sipas specialistëve të emergjencave gjendja është e njëjtë me atë të vitit 2015.

3500 hektarë tokë e janë përmbytur në fshatrat Ferras, Frakull, Cerven, Hekal dhe Kutë. 370 shtëpi në këto zona janë nën ujë, ndërsa janë evakuuar 78 familje dhe bagëtitë e tyre.  Forca të shumta të policisë dhe ushtrisë me 2 helikopterë dhe mjete lundruese ishin në gatishmëri për tu përballur me situatën.

Sipas informacioneve nga shtabi i emergjencave gjatë orëve të mesnatës pritet një stabilizim i situatës, ndërsa energjia është rikthyer në pjesën më të madhe të vendit. Aktualisht 16 fibera nuk punojnë, ku pjesa e mbetur pa drita është në fshatrat përgjatë lumit Vjosë. Gjithsej në dy ditët e fundit, në të gjithë Shqipërinë, shtabi i emergjencave civile ka shpëtuar 1200 persona dhe ka evakuuar 500 të tjerë, ndërsa 3200 shtëpi janë përmbytur.

/Tv Klan

https://www.youtube.com//embed/u9FQIpn4Xf4