Numri i të vdekurve në Kinë për shkak të koronavirusit është rritur duke shkuar në 41 në ditën e Vitit të Ri Hënor. 15 viktima janë shënuar në provincën Hubei, aty ku shpërtheu epidemia të shtunën e kaluar.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetit po mundohen që të mbajnë epideminë nën kontroll në një kohë që miliona njerëz në Kinë udhëtojnë për shkak të festivalit për vitin e ri. Deri më tani atje janë konfirmuar më shumë se 1.200 raste.

Virusi ka kaluar edhe në Europë. Tre raste u konfirmuan në Francë. Mbretëria e Bashkuar po heton disa raste të dyshimta, ndërsa zyrtarët po mundohen që të kontrollojnë të 2.000 personat, të cilët kanë udhëtuar së fundmi nga Hubei në Britani.

Edhe Australia ka konfrimuar disa raste. Për shkak të situatës së rëndë, Kina ka anuluar shumë festime për Vitin e Ri Hënor.

Çfarë bën virusi?

Koronavirusi është pothuajse i panjohur për shkencën. Ai shkakton disa infeksione në sistemin e frymëmarrjes. Simptomat e zakonshme janë temperatura dhe kolla. Ende nuk ka një kurë dhe vaksinë për të.

Sipas mjekëve, bazuar edhe në numrin e të vdekurve, shumica janë të moshuar, të cilët kanë pasur më parë probleme mjekësore. Mirëpo një ndër viktimat e fundit ishte një doktor në një spital.

Pas temperaturës, virusi shoqërohet me kollë të thatë. Pas një jave kjo çon në probleme me frymëmarrjen dhe disa pacientë kanë nevojë për trajtim në spitale. /tvklan.al