Analistët: Do të ketë përpjekje për dialogun me Kosovën

Serbia është gati për të pritur presidentin francez, Emanuel Macron. Një nga stolisjet e rralla të qytetit me flamujt trengjyrësh, serb dhe francez. Policia u ka kërkuar falje qytetarëve, pasi do të ketë siguri maksimale për arritjen e mikut nga Parisi. Këtë pritje Serbia ia dedikon miqësisë me Francën, por edhe shpresavepolitike që  ka, pasi do të flitet për Kosovën. Mijëra policë do të kujdesen për sigurinë e tij, kurse Macron pritet të arrrijë në Beograd nga Moska pasdite. Serbia shpreson mbështetje për në BE dhe rifillimin e dialogut me Prishtinën.

Marko Savkoviç është analist i një instituti politik. Sipas tij, porositë nuk do të jenë konkrete, por vizita e Macron është e rëndësishme.

“Franca duket se i është përgjigjur thirrjes së Gjermanisë për një angazhim më të madh sa i përket Kosovës. Por ka qenë kundërshtare e zgjerimit si e tillë. Natyrisht që do të ketë përpjekje për dialogun, por Franca e konsideron veten superfuqi globale dhe besoj se do të ketë qëndrim autonom pavarësisht qëndrimeve të disa vendeve Perëndimore”, u shpreh Savkoviç.

Presidenti francez në kryeqendrën serbe do të ketë një axhendë të ngjeshur. Macron do të shkojë fillimisht në Pallatin e Serbisë për disa orë e më pas do të ketë edhe vizita në përmendoret dhe vendet që shënojnë historinë e përbashkët francezo-serbe. Ditën e dytë ai pritet të jetë bashkë me disa studentë dhe aktivistë të një qendre rajonale. Kjo vizitë konsiderohet e rëndësishme për shkak të përfshirjes së Macron në proceset e Ballkanit, por edhe pasi është vizita e parë e një presidenti pas dy dekadash.

Tv Klan