VOA zbulon detaje të reja për skandalin e “DH Albania”



VOA zbulon detaje të reja për skandalin e “DH Albania”

19:37 09/01/2019

Zëri i Amerikës ka zbuluar detaje të reja lidhur me skandalin e kompaninë “DH Albania”, e cila fitoi garën për ndërtimin e një pjese të Unazës së Re në Tiranë, duke përdorur dokumente të falsifikuar të një kompanie amerikane “Dunwel Haberman”.

Sipas të njëjtave burime administrata shqiptare ka ndihmuar kompaninë “DH Albania” për marrjen e licencës së ndërtimit në zbatim, duke nisur procedurat, përpara se vetë kompania të regjistrohej zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Sipas një përgjigjeje zyrtare, që Ministria e Infrastrukturës i ktheu kërkesës për informacion nga Zëri i Amerikës, rezulton se “Shoqëria ‘DH-ALBANIA’, ka aplikuar për njehsimin e licencës së huaj, në fushën e zbatimit në ndërtim në 13 korrik 2018. Por në këtë datë kur është bërë aplikimi, sipas Zërit të Amerikës shoqëria ‘DH Albania’ ishte ende inekzistente. Kjo sepse Referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, data e saj e regjistrimit figuron 18 korriku 2018, me përfaqësues një 26 vjeçar të panjohur Avdjol Dobin. Zëri i Amerikës shkruan se është e pakuptueshme se si Sekretariati i Komisionit të Licencave, ka nisur procedurat mbi një entitet, që deri në atë moment nuk ekzistonte. Sikundër është e paqartë, se çfarë dokumetacioni, kompania ka paraqitur për t’u identifikuar si “DH Albania”, duke qenë se e ka patur të pamundur të dorëzojë një ekstrakt nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Sipas zërit të Amerikës Komisioni i Licencave, i cili drejtohej nga Gerta Lubonja, e emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka në përbërjen e tij dhe tre drejtorë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Licenca për “DH Albania” është dhënë në mbledhjen e datës 30 Korrik, e cila ka qenë ditë e hënë ndërsa dokumentet janë dorëzuar vetëm 3 ditë përpara. Zëri i Amerikës thotë se ka një seri të dhënash që ngrenë dyshime të forta që të çojnë tek biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj duke cituar lidhjet familjare mes të dyve, të faktit se punonjës së kompanisë “Gener 2”, të zotit Ulaj janë angazhuar në plotësimin e dokumentacionit të “DH Albania”-s e deri te pagesa që “GENER 2”, siç dëshmoi një investigim i BIRN-it, ka bërë për llogari të kësaj kompanie. Prokuroria, e cila po heton si për krimin e falsifikimit ashtu dhe për atë të shpërdorimit të detyrës, nga ana e institucioneve të përfshira, nuk ka mundur ende të thërrasë Avdjol Dobin i cili, të paktën zyrtarisht, nuk rezulton të ketë dalë nga Shqipëria.

Tv Klan



Të ngjashme