“Kush e vonon do të mbajë përgjegjësi ligjore”

Të gjithë aktorët vendas dhe të huaj po bëjnë thirrje ditët e fundit për të nxitur procesin e përzgjedhjes së anëtareve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, që vijojnë të mbeten jofunksionale.

Kreu i shtetit, përmes një letre drejtuar Këshillit të Emërimit në Drejtësi, por në vëmendje dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka shprehur shqetësimin për zvarritje të pajustifikuara sipas tij, të këtij procesi, duke iu kujtuar dhe përgjegjësitë ligjore që e pasojnë.

“Çdo veprim që nuk shkon paralel me kërkesën dhe nevojën jetike që ka vendi, do të kuptohet si veprimtari e qëllimtë për bllokimin e funksionimit si të Gjykatës së Lartë ashtu dhe të Gjykatës Kushtetuese, çka kërkon mbajtjen e përgjegjësive ligjore nga çdo funksionar”.

Edhe pse fitoi betejën me Ardian Dvoranin, Meta duket se nuk dorëzohet. Ai i kërkon KED-it që të mos e marrë parasysh kërkesën e tij për t’u rikthyer në KED si anëtar i tij, pasi për kreun e shtetit është e paligjshme.

“Jo vetëm ndonjë veprim, por edhe çdo diskutim që mund të lërë të hapur shtegun duke u vetinterpretuar si mundësi nga ish-anëtari i Gjykatës së Lartë për të marrë pjesë në veprimtarinë 12 e KED-së në vijim, do të prodhonte një situatë anormale në dëmtim të rëndë të ligjshmërisë së proceseve në ndjekje nga ana juaj”.

Plotësimi i të gjitha vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë është kusht për mbajtjen e tryezës ndërqeveritare për çeljen e negociatave me BE.

Tv Klan