Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka siguruar fashikullin prej 800 faqësh të hetimit dhe gjykimit të vrasjes së Vilson Tafçiut më 20 Janar 2020 jashtë një lokali në zonën e Astirit në Tiranë nga Noel Dishi.

Shkak i sherrit dhe më pas vrasjes ishte bërë një vajzë e quajtur Blerta.

Oficerët e policisë gjyqësore të seksionit të krimeve të rënda në Policinë e Tiranës kanë sekuestruar vertëm DVR-në e një biznesi të pajisur me kamera sigurie e cila sipas tyre kishte pamje të vlefshme por jo shumë të qarta të dinamikës së ngjarjes.

Në DVD e sekuestruar me numër rendor 2, ora e kamerës ishte 9 sekonda mbrapa orës zyrtare lokale. Kamera me numër rendor 2 ka fushëmpamje në ambientet e brendshme të biznesit si dhe pjesërisht rrugën “Dhaskal Todri” dhe pjesërisht lokal “Artisti”.

Në orën e kamerës 20:38:02 nga pjesa e kryqëzimit të rrugës Teodor Keko me rrugën Dhaskal Todri dallohet të shfaqet një person në dukje i veshur me një xhup me mëngë të gjata, pantallona të gjata. Ngjyra e veshjeve nuk mund të përcaktohet pasi kamera ka kaluar në gjendjen ‘night vision’.  Në këtë kqyrje ky person do të emërohet subjekti 1.

“Subjekti 1” dallohet të vazhdoi lëvizjen në drejtim të bar kafe “Artist” ku në dukej të pamjes filmike në dorën e tij të majtë mban një send ku nga veprimet mund të jetë një telefon, ndërsa dorën e djathtë në dukje e ka në xhepin e djathtë.

Kur ora e pamjes filmike të përftuar nga kamera me numër rendor 2 shënon20:38:21, “subjekti 1” ka arritur në këndin e bar kafe ‘Artisti’ ku në këto momente bën veprime të njëjta me atë të nxjerrjes së një sendi nga ana e djathtë e pjesës së rripit. Send të cilin më pas e drejton në drejtim të një objekti apo personi. 

Kur ora e pamjes filmike shënon 20:38:23 në dukje nga sendi që mban në dorën e djathtë “subjekti 1” del një si dritë e njëjtë me atë të flakës së një arme zjarri. Veprim ky që përsëritet sërish kur ora në pamjen filmike të përftuar nga kamera me numër rëndor 2 shënon orën 20:38:24.

Pas këtij moment ku nga sendi që mbante në dorë “subjekti 1” del si flakë arme zjarri, në pamje filmike dallohet që qëndronin në brendësi të kafes “Artisti” bëjnë veprime të njëjta me atë të personave në panik.

Tre oficerët e policisë gjyqësore që kanë firmosur kqyrjen e pamjeve filmike nuk kanë vërejtur mëtej asgjë tjetër me interes. Më vonë u arrit të identifkohej se bëhej fjalë për shtetasin Noel Dishi. /tvklan.al