Çajup Selimi u qëllua me pistoletë në qendër të qytetit

Ky është 45-vjeçari Çajup Selimi, i cili mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së martës në Tepelenë. Ngjarja ndodhi rreth orës 21 e 15 minuta në lagjen “15 Shtatori” dhe ai është qëlluar disa herë me pistoletë në rrethana ende të paqarta nga një person i paidentifikuar.

Selimi është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, por si pasojë e plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë.

Policia pasi mbërriti në vendin e ngjarrjes bëri rrethimin e zonës dhe ngriti postoblloqe në hyrje-daljet e qytetit për të kapur autorët, por deri më tani pa rezultat.

Çajup Selimi rezulton pronar i një biznesi në qytetin e Tepelenës, ndërsa më parë ka qenë i përfshirë edhe në disa konflikte për çështje konkurrence.

Në vitin 2018 Selimi u konfliktua me dy persona, të cilët e goditën e atë me mjete të forta, ndërsa ai u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Gjirokastrës.

Për ngjarjen e vitit 2018 policia ndaloi Risiano Abedinin, po nga Tepelena. Familja Selimi dhe Abedini menaxhojnë biznese me profil të ngjashëm, por nuk dihet ende nëse ngjarja e kësaj të marte ka lidhje pikërisht me konkurrencën në biznes dhe nëse është vijim i të njëjtit konflikt.

Tv Klan