45-vjeçari: Dyshoja se më tradhtonte, jam penduar për krimin

Ky është Lulzim Cuku, 45-vjeçari, i cili 4 ditë më parë vrau me thikë bashkëshorten e tij Manjolën në banesën e tyre në Xhafzotaj të Durrësit. Mëngjesin e kësaj të enjteje ai doli para gjykatës së Durrësit, e cila vendosi ta lërë në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Cuku u shfaq në gjykatë në kushte të rënduara psikologjike. Ai tha para trupit gjykues se me bashkëshorten kishte vazhdimisht debate, pasi dyshonte se 33-vjeçarja kishte lidhje jashtë martesore.

“Kisha arsye, kisha gjetur gjëra të çuditshme në shtëpi që më bënin të dyshoja se më tradhtonte. Unë kisha vendosur ta merrja me vete në Greqi, por Manjola nuk pranoi. Kishim sherre në mënyrë të vazhdueshme”, deklaroi 45-vjeçari para trupit gjykues, duke shfaqur pendesë për krimin.

Manjola Cuku, nënë e tre fëmijëve që humbi jetën nga dora e bashkëshortit, ishte me urdhër-mbrojtje nga Gjykata e Durrësit, pasi ishte dhunuar disa herë nga 45-vjeçari.

Ai ishte kthyer enkas nga Greqia pa lajmëruar familjen. Pasi vrau bashkëshorten dhe e mbylli në banjë, u arratis disa orë, për t’u vetëdorëzuar më pas në komisarin e Policisë së Burrelit.

Tv Klan