Një adoleshent shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në Danimarkë. Sipas mediave daneze, krimi ka ndodhur në Kopenhagen.

Viktima është një 16-vjeçar i lindur dhe i rritur në Danimarkë, ndërsa prindërit e tij janë shqiptarë nga Maqedonia. Ai ishte fëmija i vetëm i çiftit, ndërsa krimi i rëndë ka tronditur komunitetin ku ai jetonte.

Të hënën në mbrëmje shqiptari kishte dalë me dy shokë dhe kishin shkuar në një festë. Adoleshenti po kthehej në shtëpi rreth orës 21:00 dhe ishte parë nën shoqërinë e një grupi personash. Dëshmitarë i kanë thënë policisë se kanë qenë rreth 4 persona së bashku me 16-vjeçarin shqiptar.

Më pas u dëgjuan të shtëna me armë. Grupi i të rinjve u largua me shpejtësi. Të njëjtët dëshmitarë thonë se jo shumë larg vendit të ngjarjes, një makinë priste katër djemtë që ishin me shqiptarin dhe më pas u larguan me vrap. Adoleshenti është qëlluar të paktën 6 herë me armë, thonë mediat lokale. Policia paraprakisht dyshon se shkak mund të ketë qenë ndonjë sherr mes të rinjve, megjithatë shkaqet e sakta nuk dihen ende.

Në komunitetin ku jetonte, 16-vjeçari shqiptar njihej si njeri i qetë.

“Nuk guxoj të mendoj se si është tani mamaja e tij”

, ka thënë një adoleshent, i cili mbante në duar lule.

Hetuesit kanë marrë në pyetje prindërit e djalit, miqtë e tij dhe dëshmitarë për të identifikuar personat që e shoqëronin në çastet e fundit të jetës./

tvklan.al