Disa vite më parë, emisioni “Stop” në Tv Klan denoncoi çështjen e një ndërtimi pa leje, për shkak të të cilit, Gjykata e Elbasanit dënoi të birin e atij e që kishte ndërtuar, Gëzim Xhepexhiun.

Babai i këtij të fundit kishte ndërtuar një hotel llixhë, meqë kishte llixhë në fshat. Por si i pandehur që ka thyer ligjin, u mor Gëzim Xhepexhiu, djali. Ky i fundit, duke mos pranuar vendimin e Gjykatës që e kishte dënuar në vend të babait të tij, vendosi të arratisej.

Pavarësisht arratisjes, Gëzim Xhepexhiu nuk i shpëtoi burgut, pasi autoritetet shqiptare e arrestuan pikërisht në varrimin e babait të tij. Gjykata vendosi që ta dënonte me 1 vit burg. Prej 4 muajsh ai po kryen dënimin në burgun e Rrogozhinës, për një vepër, që thotë se nuk e ka bërë ai.

Gëzim Xhepexhiu ka kontaktuar sërish me emisionin “Stop”. Kësaj radhe ai ka një kërkesë për qeverinë. E vetmja shpresë e Gëzimit që të dalë nga burgu mbetet koronavirusi. Kjo për shkak pasi qeveria pritet të vendosë për të liruar nga burgu një sërë të dënuarish apo të paraburgosurish për vepra të lehta penale, me qëllim që të ulë numrin e të burgosurve, si masë për parandalimin e koronavirusit.

I burgosuri Gëzim Xhepexhiu: Unë jam 63 vjeç. Kërkoj nga qeveria për moshën që kam, për dënimin e lehtë që kam, të më nxjerrin nga burgu, se as kam vrarë, e as kam prerë. Në fund të fundit, unë po shlyej dënimin e babait. Për këtë arsye i drejtohem autoriteteve shtetërore, që të më falin për moshën që kam”.

Sipas udhëzimit të qeverisë, bëhet fjalë për të dënuar mbi 60 vjeç apo që vuajnë nga sëmundje kronike, të cilët nuk kanë përfituar nga amnistia e miratuar së fundmi në Parlament. /tvklan.al