Presidenti serb Aleksandar Vuçiç thotë se Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të formohet në mënyrë të njëanshme. Në një intervistë për radiotelevizionin publik serb, Vuçiç tregoi gatishmëri për të pritur 3 muaj e gjysmë për themelimin e Bashkësisë, aq sa ç’është afati i kërkuar nga qeveria kosovare për hartimin e statutit.

“Thanë se do të dalin me një statut për Bashkësinë për tre muaj e gjysmë. Serbia do të presë, por nuk do ta shohim statutin të përfunduar as brenda këtij afati”.

Kjo deklaratë ishte thirrje ndaj Listës Serbe për të mos nxitur tensione me ultimatumin që i vuri Prishtinës për hartimin e statutit që skadoi të enjten. Në një konferencë për shtyp, Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj hodhi poshtë ultimatumin, duke u shprehur se qeveria po vepron sipas afateve të marrëveshjes së Brukselit.

“Marrëveshja e Brukselit e ka paraparë që në fund, Gjykata Kushtetuese të japë vlerësimin nëse statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Qeveria e Kosovës ka nisur hartimin e statutit, bazuar në verdiktet e menjëhershme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila kërkoi rishikimin nga qeveria të disa pikave që përputhen me kompetencat ekzekutive e këtij organizmi. Do të jetë Gjykata Kushtetuese që do ta dekretojë statutin pasi qeveria e Kosovës të përfundojë hartimin.

Tv Klan