Aleksandër Vuçiç e ka ngritur në nivel kryeministrash blerjen e aksioneve të T-Mobile në Shqipëri, nga Telecom Serbia. Gjatë fjalës në Forumin e Sigurisë në Beograd, Presidenti serb tha se do të flasë personalisht me kryeministrin Rama për këtë çështje, duke përsëritur sërish se oferta më e lartë e dhënë nga serbët, u bllokua nga ministri shqiptar i Telekomunikaiconit.

“Do të flas me Edi Ramën sot ose nesër me shpresë së do ta zgjidhim këtë situatë. Ideja ime politike më e rëndësishme është krijimi i një tregu unik në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm kjo, por të kemi të njëjtat nxitje, të njëjtin sistem taksash. Çka do të tërhiqte më shumë investime në vendet tona.”

Presidenti serb konfirmoi se në takimin e parë me kryeministrin Rama diskutoi idenë për të ardhmen e përbashkët ekonomike, të cilën e konsideroi si më të rëndësishmen për të.

Pak ditë më parë Tv Klan raportoi se oferta e Telekom Serbia për të blerë aksionet e kompanisë shqiptare T-Mobile është drejt dështimit, për shkak të trysnisë që kanë ushtruar institucionet shtetërore për të shkurajuar ofertën serbe, duke paralajmëruar me largimin si abonentë të Telekom.

E para që do të tërhiqej nga lënia e numrit me prefiksin 068, do të ishte Ministria e Mbrojtjes, e cila konsiderohet si një institucion me rëndësi të veçantë strategjike për çështjet e ndërlidhjes dhe komunikimit.

Tv Klan