Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përgëzoi udhëheqësin rus Valdimir Putin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Rusi, për të cilat Perëndimi tha se nuk ishin as të drejta e as demokratike.

Presidenti serb Vuçiç shkroi në rrjetet sociale se letrën e urimit për presidentin rus ia dorëzoi ambasadorit të Rusisë në Beograd, Alexander Bocan Harchenko.

“Në të, përveç që e kam uruar për fitoren, ia kam sqaruar edhe peshën e situatës me të cilën po përballen serbët në Kosovë, sfidat e mëdha politike me të cilat përballet Serbia, dhe e kam falenderuar Rusinë për mbështetjen e saj ndaj tërësisë tokësore të Serbisë”, shkroi ai.

Serbia kishte dërguar në Rusi një delegacion vëzhguesish për zgjedhjet presidenciale, në të cilat nuk kishte dyshime se Vladimir Putini do të dilte fitues në një garë në të cilën votuesit nuk kishin ndonjë alternativë të vërtetë, për shkak të rrënimit të opozitës.

Presidenti Vuçiç është ndër politikanët e rrallë që kanë përgëzuar presidentin Putin.

Të hënën në mbrëmje, presidenti prorus i Republikës Serbe Milorad Dodik uroi Vladimir Putinin duke ndriçuar ndërtesën e presidencës së tij në Banja Llukë me ngjyrat e flamurit rus.

Serbia, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk u është bashkuar sanksioneve Perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Rusia mbështet pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen Perëndimore.  /VOA