Edhe Wikileaks mund të jetë përfshirë në ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë për të ndihmuar Donald Trumpin të zgjidhej President i Shteteve të Bashkuara. E përditshmja britanike “The Guardian” hedh dyshime se Paul Manafort, ish-drejtuesi i stafit elektoral të Donald Trumpit është takuar disa herë me Julien Asange në Londër. Sipas burimeve të “The Guardian”, Manafort është parë të paktën tre herë të hyjë në ambasadën ekuadoriane në kryeqytetin britanik, një në 2013-ën dhe dy të tjera në periudhën 2015 – 2016 kur Manafort ishte figura kryesore e fushatës së Trumpit.

E përditshmja tjetër prestigjioze “The Uashington Post” shkruan se “The Guardian” ka informacione, të cilat mund të hedhin dritë për një bashkëpunim të mundshëm mes Wikileaks, stafit të fushatës së Trumpit dhe hakerave rusë për të ndihmuar në zgjedhjen e Donald Trumpit President në 2016-ën.

Dyshimet mund t’i japin një rrjedhë të re hetimeve të prokurorit special Robert Mëller, të cilit mund t’i duhet edhe dëshmia e Julien Asange. Ishte pikërisht, Wikileaks që publikoi skandalin e e-maileve të Hillary Clintonit, rivales demokrate të Trumpit, që ndikoi në rënien e popullaritetit të saj.

Tv Klan