Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi vlerëson se VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk është e interesuar për pajtim të përgjithshëm mes deputetëve që do të reflektohej edhe tek simpatizantët partiak. Kryeparlamentari ka shtuar se tani për tani nuk ka paralajmërime për ndarjen eventuale të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së prej se tetë deputetë të koalicionit opozitar votuan për nevojën e ndryshimeve kushtetuese konform Marrëveshjes së Prespës.

Tani për tani nuk ka më shumë informacione rreth njërës prej kërkesave të grupit të tetë deputetëve nga radhët e opozitës për formimin e trupit për pajtim politik në Parlament- thotë Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, por shton se është e qartë që VMRO-DPMNE-ja nuk është e interesuar për këtë.

I qartë është përcaktimi se ata nuk janë të interesuar për pajtim të përgjithshëm mes deputetëve e kjo do të reflektohej edhe mes qytetarëve si përkrahës të partive politike.

Kryetari i Kuvendit pret që iniciuesit t’i japin më shumë detaje për idenë e tyre. 

“Pres që deputetët që qëndrojnë pas kësaj ideje të inicojnë dhe një takim përkatës për këtë ide”.

Për dorëzimin eventual të propozim-ligjit për amnisti nga ana e VMRO-DPMNE-së, lidhur me ngjarjet e 27 Prillit, Kryetari i Kuvendit thotë se deputetët kanë të drejtë ta dorëzojnë, por edhe të sqarojnë se çka do të donin të arrijnë me një akt të tillë dhe cilat do të ishin pasojat për imazhin e Kuvendit. Kryepralamentari, Talat Xhaferi lidhur me mundësinë për shkarkimin e Presidentit të vendit ka theksuar se mund të inicohet impiçmenti, por fillimisht duhet parë disponimi i deputetëve opozitar të cilët votuan për nismën e ndryshimeve kushtetuese./Biljana Georgievska-Klan Maqedoni