Xhisiela Maloku ka reaguar pas masës së sigurisë “arrest me burg” të vendosur sot nga Gjykata e Krujës për Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo thotë se Rexhepin do ta mbështesë gjithmonë dhe shpreson që të zbardhet sa më parë e vërteta. Arrestimin e tij e konsideron akt politik, ndërsa thotë se sot në Gjykatë nuk shkoi për të shmangur çdo situatë të nderë.

“Falenderoj të githë ata që më kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta bëjnë. I lutem gjithë opinionit publik për mesazhet negative dhe fyese të ndalen deri sa të zbardhet e vërteta. Në lidhje me mospraninë time sot në masën e arrestit për ish të dashurin tim, dua t’ju sqaron sepse të pranishëm kanë qenë shumë familjarë të tij dhe prania ime aty do të quhej përsëri kërcënim. I qëndroj çdo interviste që kam dhënë dhe Rexhepin do vazhdoj ta mbështes në çdo gjë.

Masa e tij e arrestit ishte e qartë që ishte politike, dimë të gjithë mijëra raste të tilla konfliktesh mes të dashuruarve por jo të gjithë janë “djali i deputetit”. Ai është ish i dashuri im, nesër mund të jetë miku im. Ka mbështetjen time dhe i them që do ia dalë deri sa e vërteta të zbardhet siç është dhe politika të mos fusë hundët. Faleminderit të gjithëve”

, shkruan Xhisiela Maloku në rrjetet sociale.

Mbrëmë në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Xhisiela Maloku hodhi poshtë pothuajse gjithë dëshminë që kishte dhënë në Prokurori, duke mohuar akuzat ndaj Rexhep Rrajës.

/tvklan.al