Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është takuar këtë të martë me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe Këshilltaren Ligjore Rezidente të OPDAT në Shqipëri, Michelle Lakomy.

Mësohet se në këtë takim, Shtylla e ka njohur ambasadoren me procesin e vetingut si dhe nevojën e mundësitë për përshpejtimin e saj.

Në fokus të takimit kanë qenë edhe përgatitjet e Kolegjit për shqyrtimin e çështjeve të juridiksionit disiplinor për sistemi e drejtësisë, që kjo gjykatë pritet të ketë me fillimin e funksionimit të plotë të institucionit të ILD-së dhe mbi vendimmarrjet përkatëse të KLGJ-së dhe KLP-së.

Fokus i veçantë gjatë takimit, iu dha edhe kërkesave dhe shqetësimeve të gjyqtarëve, sa i përket funksionalitetit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe vijueshmërisë normale të procesit të rivlerësimit, duke garantuar pavarësinë në vendimmarrjen e Kolegjit.

Shtylla i konsideroi të domosdoshme për ecurinë e procesit të vetingut, vazhdimin e mbështetjes të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe vëmendjen e posaçme të tyre për suksesin e procesit të rivlerësimit./tvklan.al