Zbardhen diskutimet në mbledhjen e Kryesisë së PD



Zbardhen diskutimet në mbledhjen e Kryesisë së PD

17:47 16/05/2021

Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, kreu i kësaj force politike Lulzim Basha ka deklaruar se zgjedhjet e 25 Prillit janë vjedhur. Klan News raporton se gjatë diskutimeve, Basha është shprehur se idetë brenda demokratëve mund të jenë të ndryshme, por nuk të pranojnë vjedhjen e zgjedhjeve.

“Kemi ide të ndryshme por s’mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve. Zgjedhjet e 25 Prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizmit. Në PD ka vend për të gjithë, për idetë e gjithësecilit. 25 Prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore. Nëse drejtojmë gishtin në këtë sallë, i japim zë antivlerave të ndërtuara nga ata që kemi përballë”, është shprehur Lulzim Basha.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli njëri prej zërave brenda PD-së që kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës, i ka kërkuar ballë për ballë kryedemokratit që të japë dorëheqjen.

“Nuk je i pazëvendësueshëm. Jep dorëheqjen e parevokueshme. Je humbës i përsëritur prej defekteve personale. Drejtove çdo gjë vetëm pa forume”, i është drejtuar Fatbardh Kadilli, Lulzim Bashës.

Edhe përpara nisjes së mbledhjes, Kadilli tha për gazetarët se është koha që brenda Partisë Demokratike të fillojë një proces i ri.

“Jam sot për t’i kërkuar edhe një herë dorëheqjen Lulzim Bashës. Nuk është më zgjidhje për Partinë Demokratike por është problemi i saj. Sot mbyllet një periudhë zhgënjyese dhe fillon një periudhë shpresë. Jam i vendosur për ta çuar këtë projekt përpara. E kam deklaruar, nuk tërhiqem nga asnjë proces demokratik. Inkurajimi i demokratëve dhe nevoja për ta ngritur kokën lart në një projekt shpresë më bën më të fortë të përballem me Lulzim Bashën”, deklaroi Fatbardh Kadilli. /tvklan.al







Të ngjashme