Flora Ndreca: Nuk kam pasur rol tek kontrollorët e tjerë, greva nuk u organizua, u mblodhëm vullnetarisht

Televizioni kombëtar Klan News ka zbardhur dëshminë e Flora Ndrecës, përgjegjëses së turni në kullën e vrojtimit në aeroportin e Rinasit, e cila u arrestua nga policia.

Në deklarimet e dhëna para hetuesve, Ndreca thotë se greva e 65 kontrollorëve erdhi pas pushimit nga puna të 5 kolegëve. Ajo mohon se kishin menduar braktisjen e punës, duke pretenduar se gjithçka ka qenë spontane.

Sipas të dhënave, 43-vjeçarja është shprehur se nuk ka pasur rol tek kontrollorët e tjerë, dhe plotësimi i deklaratës së paaftësisë në punë është bërë nga kolegët e saj.

Mes të tjerash ajo tregoi edhe për takimin që zhvilluan më 30 Mars me presidentin Meta, bashkë me disa kolegë të tjerë dhe me avokatin.

Rezart Kthupi, përfaqësuesi ligjor i Flora Ndrecës, Armando Fezgaj dhe Muhin Mezinit, përsëriti edhe të premten se ndalimi i tyre është i paligjshëm.

Deklarata e avokatit erdhi pas seancës gjyqësore të mbajtur në gjykatën e Tiranës, lidhur me çështjen e uljes së pagesave për kontrollorët.

“Nuk e dimë akoma se çfarë do të kërkojë prokuroria, ajo që do të kërkojmë ne është paligjshmëria e masës së arrestit dhe rrëzimi i të gjitha akuzave”, u shpreh Kthupi.

Tre kontrollorët e arrestuar të enjten nga policia do të dalin para gjykatës ditën e shtunë, ku do të njihen me masën e sigurisë. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe organizim të grevës që çoi në pezullimin e fluturimeve në aeroportin “Nënë Tereza”. 

Sipas avokatit në seancën gjyqësore do të kërkohet rrëzimi i akuzave dhe lirimi kontrollorëve nga qelia.

Më herët Klan News publikoi edhe komunikimet mes kontrolloreve ku sipas prokurorisë pretendohet se greva e punonjësve është e organizuar.

Klan News