Alexei Navalny është helmuar me Novichok. Është i njëjti helm i gjetur edhe në trupin e ish-agjentit sekret Skripal dhe vajzës së tij në Angli në 2018.

Është Gjermania, ku edhe po kurohet disidenti rus, që bën të ditur lajmin pas rezultateve të analizave. Deklarata ka mbërritur nga zëdhënësi i Kancelares gjermane, Steffen Seibert, i cili ka thënë se Berlini e dënon në mënyrën më të rreptë këtë sulm dhe kërkon qartësime mbi këtë çështje me urgjencë nga Rusia.

Navalny aktualisht ndodhet i shtruar në poliklinikën universitare Charite dhe analizat toksikologjike i janë komisionuar një laboratori specifik të ushtrisë gjermane, që ka kryer testet. Rezultati, pa asnjë pikë dyshimi, është gjetja e gjurmëve të një përbërjeje kimike toksike të grupit Novichok.

Zëdhënësi i Angela Merkel ka bërë të ditur gjithashtu se për këtë çështje do të ketë konsultime të menjëhershme në NATO dhe BE me të gjithë anëtarët, për të marrë një pozicion dhe reagim të përbashkët.

Alexei Navalny, para disa javësh, pas konsumimit të një çaji gjatë një udhëtimi me avion për në Moskë, u ndje keq dhe kaloi në gjendje kome. Pas tratativave, dyshimeve dhe rrethanave në të cilën ndodhi ngjarja, ai u transferua për kurim në Gjermani.

Klan Plus