Zbulohet një arsenal armësh në dy furgonët e zbritura sot në tragetin “Jonis” në Portin Detar të Durrësit. Të fshehura mes pajisjesh shtëpiake u zbuluan automatikë, pistoleta dhe lloje të tjera armësh të sofistikuara në furgonin me targa zviceriane. Shoferi, një shqiptar nga Gostivari Shaban Elezi, në momentin e ndalimit ka deklaruar se furgoni ishte nisur nga Gjeneva dhe armët ishin me destinacion Maqedoninë.

Në momentin e hapjes së furgonit, prezent në vendin e ngjarjes ishte dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare Bilbil Mema dhe drejtori i Policisë Durrës Arben Ruçi. Kolonel Mema deklaroi se pavarësisht nga akuza që bie, qeveria dhe policia shqiptare janë të vendosura të mos lejojnë asnjë lloj trafiku armësh në territorin e saj.

Goditja e sotme u drejtua nga Kolonel Arben Ruçi dhe në bazë të saj qëndronin informacione nga policia e shtetit. Sipas drejtorit Ruçi, kjo ngarkesë kishte disa ditë që priste të zbarkonte në portin tonë. Mes armatimit të kapur kishte një mitroloz snajper, armë të tjera më të vogla, materiale ndërlidhëse, fishekë si dhe jelekë antiplumb./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj