Policia arreston dy të dyshuar, në kërkim dy të tjerë

Prokuroria dhe Policia e Elbasanit, kanë rënë në gjurmë të personave që porositën dhe ekzekutuan Bujar Çelën, mëngjesin e 17 Shtatorit.

Burime nga të Policisë i thanë Televizionit Klan se kanë ndaluar 2 persona të përfshirë në këtë ngjarje, ndërsa po kërkohet për dy të tjerë, që dyshohet se janë ata që qëlluan plot 21 herë në drejtim të 62-vjeçarit, në një kafenë në rrethrrotullimin e Bradasheshit.

Hetuesit kanë dyshime se vrasja është kryer nga i njëjti grup që ka bërë ekzekutimet e muajve të fundit në Elbasan.

Shkak mbetet vëllai i viktimës, Talo Çela, i kërkuar si organizator i grabitjes në Rinas dhe urdhërues i vrasjes së dy vëllezërve Haxhiaj në Durrës.

Viktima punonte si taksist dhe nuk kishte pasur asnjëherë probleme me drejtësinë.

Mësohet se prokuroria ka në dorë disa të dhëna që tregojnë se vrasja është porositur nga një person, që aktualisht gjendet i arrestuar në Elbasan për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura kohët e fundit.

Megjithatë, atij nuk i është komunikuar ndonjë akuzë në lidhje me këtë atentat.

Elbasani është bërë arenë përplasjes mes bandave kohët e fundit, siç deklaroi të hënën edhe Prokurori i Përgjithshëm, që tha se krimi i organizuar po e kontrollon këtë qytet.

Pak javë më parë në Elbasan u vranë Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj dhe në pranga si porositës i ekzekutimeve është Erion Alibej, të cilit iu vra i vëllai në vitin 2018.

Tv Klan