“Sylvinho është trajner modern, Shqipëria do të bëjë mirë në Europian”

Ish-trajneri i Tiranës, Ze Maria mendon si ndeshja me Kilin do të jetë e vlefshme për Shqipërinë para një turneu të rëndësishëm si Europiani. Ai tha në një intervistë për TV Klan se miqësorja me një kundërshtar të këtij niveli i lejon Sylvinhos të kuptojë më shumë te cilësitë e futbollistëve.

“Këto ndeshje të ndihmojnë të njohësh më mirë futbollistët dhe sa mund të kërkosh prej tyre në aspektin fizik apo psikologjik. Kjo e ndihmon trajnerin se si ta vendosë skuadrën në fushë.”

Braziliani, i cili është pjesë e Akademisë së Parma mendon se bashkëkombasi i tij, Sylvinho ka bërë një punë të mirë.

“Sylvinho është një trajner modern dhe kjo shikohet si luan Shqipëria. Ai ka një mentalitet ofensiv dhe në të njëjtën kohë të organizuar kjo është e rëndësishme për futbollin Europian.”

Ze Maria beson se Shqipëria do të zhvillojë një Europian dinjitoz.

“Nuk ka gjëra të pamundura në futboll. Ka shembuj që skuadra të vogla e kanë fituar Europianin në fund. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të bërë mirë në Euro 2024. Nuk do të jetë ekipi që do të lejojë që ta mundin të gjithë, por mendoj se do të bëjë mirë pavarësisht kundërshtarëve tepër të fortë.”

Ze Maria në karrierën e tij si futbollist ka fituar shumë trofe me klube dhe me Brazilin.

Tv Klan