Nga fronti në rajonin verilindor të Chernihiv, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u shpreh se Ukraina do ta humbë luftën kundër Rusisë, nëse Kongresi amerikan nuk e miraton një paketë të madhe të ndihmës ushtarake.

Ushtria ukrainase e ka pranuar se luftimet rreth vijës së frontit në qytetin Çasiv Jar janë “të vështira”, mirëpo forcat janë duke rezistuar. Çasiv Jar është më pak se 30 kilometra prej Kramatorskut, një zonë e rëndësishme hekurudhore dhe logjistike për ushtrinë ukrainase.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky: Intensiteti i sulmeve ajrore ruse është mjaft i lartë. Ne kemi vetëm disa rezerva për mbrojtjen ajrore, por besoj se duhet të mendojmë për të nesërmen. Ndihma amerikane është e një rëndësie kritike për ne. Unë ende besoj se mund të marrim një votë pozitive. Fatkeqësisht, çështja e Ukrainës, çështja e luftës së Rusisë kundër Ukrainës është bërë një çështje e politikës së brendshme në Shtetet e Bashkuara.

Ukraina vazhdon të kërkojë ndihmë urgjente prej Shteteve të Bashkuara, sidomos për paketën e propozuar në vlerë të 60 miliardë Dollarëve, e cila është bllokuar që disa muaj nga republikanët në Kongres. Mes të tjerash presidenti ukrainas bëri thirrje aleatëve se Ukraina ka nevojë për 25 sisteme Patriot.

Ndërkaq një sulm me dron në termocentralin e Ukrainës në Zaporizhzhia ka rritur rrezikun e një aksidenti të madh bërthamor. Agjencia e mbikëqyrjes atomike e OKB-së dënoi sulmin në një nga gjashtë reaktorët bërthamorë dhe sipas saj përbën një përshkallëzim të madh të sigurisë bërthamore me të cilat përballet uzina.  

Megjithatë, agjencia shtetërore ruse bërthamore Rosatom bëri të ditur se tre persona u plagosën në seri të paprecedentë të sulmeve me dron duke ngritur akuza drejt Ukrainës. Sipas autoriteteve të uzinës, nuk pati dëme kritike apo viktima dhe nivelet e rrezatimit në termocentral ishin normale pas goditjeve. 

Mes të tjerash luftimet në zonat kufitare mes Ukrainës dhe Rusisë vijojnë. Rusia shkatërroi 15 dronë ukrainas mbi rajonet e saj kufitare Belgorod dhe Bryansk, ku një grua humbi jetën.