2 ditë para skadimit të afatit që partitë të regjistrohen në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, Ambasada Amerikane në Tiranë u bën thirrje të gjitha forcave politike të regjistrohen në to. Në një reagim për “Zërin e Amerikës” për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara pas vendimit të Partisë Demokratike për të mos hyrë në zgjedhje, derisa sipas saj, të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, e ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones apelon.

Ambasada Amerikane nxit këdo që mendon të kandidojë që të regjistrohet në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit.

Ambasada mirëpret konkurrimin demokratik të hapur dhe energjik në kutinë e votimit. Votuesit shqiptarë duhet të kenë mundësinë të zgjedhin mes një game të gjerë kandidatësh që do t’i përfaqësojnë vërtet ata.”

Në kushtet kur partitë e opozitës nuk janë regjistruar në zgjedhje dhe madje kanë vendosur të pamundësojnë mbajtjen e , diplomatja amerikane solli në vëmendje edhe deklaratat e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Matthew Palmer gjatë vizitës në Tiranë.

“Palmer u bëri thirrje atyre partive që kanë braktisur institucionet e Shqipërisë që të riangazhohen në procesin politik. Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të qershorit është mundësia më e mirë për ta, që ta bëjnë këtë”.

Diplomatja amerikane përshëndeti krijimin e grupeve të reja parlamentare me deputetët e futur rishtas, të cilët në seancën e së enjtes u shprehën se po shohin mundësinë për të garuar në zgjedhjet lokale. Sipas Lejla Moses, parlamenti vijon të funksionojë duke dhënë shenja të vazhdimësisë dhe stabilitetit.

“Përshëndes hapat konstruktivë të opozitës në parlament, të cilët formalizuan më tej praninë dhe pozicionet e tyre si deputetë. Formimi i grupeve parlamentare do të forcojë më tej aftësinë e tyre për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre si anëtarë aktivë të parlamentit. Parlamenti i Shqipërisë vazhdon të funksionojë. Ky vazhdim i proceseve parlamentare, përfshi hyrjen e deputetëve të rinj, zhvillimin e debateve dhe miratimin e ligjeve është shenjë e vazhdimësisë dhe stabilitetit të këtij institucioni të rëndësishëm demokratik”.

21 Prilli është afati i fundit për regjistrimin e partive në zgjedhjet lokale. Deri në 1 Maj duhet të regjistrohen koalicionet dhe brenda 13 Majit kandidatët për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë.

Tv Klan