Kryeministri Benjamin Netanjahu nuk arriti të sigurojë një shumicë bindëse parlamentare në zgjedhjet e Izraelit të martën, por një marrëveshje e mundshme me një rival të djathtë mund ta nxjerrë atë në fund të fundit fitues, sipas sondazheve të para pasi zgjedhësit hodhën votën.

As fushata në të cilën zoti Netanjahu e vuri theksin tek vaksinimi masiv për COVID-19, që e vuri Izraelin të parin në rang botëror, nuk mundi të kapërcente ngërçin politik dy vjeçar të shoqëruar me katër zgjedhje.

E majta e qendrës së Izraelit doli më mirë sesa pritej, sipas sondazheve të daljes në qendra votimi, pasi e vuri theksin tek akuzat e korrupsionit kundër zotit Netanjahu dhe e akuzoi atë për keqpërdorim të pandemisë.

Por ashtu si blloku tradicional i partive të krahut të djathtë dhe atyre fetare hebraike të zotit Netanjahu, ai nuk e arriti një shumicë qeverisëse në parlamentin me 120 anëtarë.

Ngecja mund të jetë sinjal i bisedimeve të gjata për ndërtimin e koalicionit apo edhe zgjedhje të reja.

Në mediat sociale, 71 vjeçari Netanjahu, pretendoi “një fitore të madhe” për të djathtën dhe partinë e tij Likud. Por parashikimet e kanaleve televizive nuk e mbështesin këtë.

Mbijetesa politike e udhëheqësit më jetëgjatë të Izraelit duket se varet nga 48-vjeçari Naftali Bennett, ministër i mbrojtjes në një qeveri të mëparshme të zotit Netanjahu dhe udhëheqës i partisë nacionaliste Yamina.

Një ish-ndihmës i zotit Netanjahu i cili ka kohë që kërkon ta zëvendësojë atë, Bennett nuk shprehu angazhimin për qëllimet e tij menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve.

“Unë do të bëj vetëm atë që është e mirë për shtetin e Izraelit”, u citua të thoshte zoti Bennett nga një zëdhënës.

Zoti Bennett, një milioner në fushën e teknologjisë së lartë, ka thënë se ai nuk do të shërbente nën udhëheqësin e mundshëm të grupit të qendrës së majtë, 57-vjeçarin Yair Lapid, kreu i partisë Yesh Atid. Ai gjithashtu nuk dha asnjë premtim të prerë publik gjatë fushatës për t’u bashkuar me zotin Netanjahu.

Pasi u transmetuan rezultatet e votimit, zoti Bennett tha se ai mori një telefonatë nga zoti Netanjahu dhe se i tha, “se do të presim rezultatet përfundimtare” përpara se të vendoste për hapat e tij të ardhshëm politikë.

Zoti Netanjahu gjithashtu telefonoi aleatët politikë konservatorë dhe i nxiti ata të bashkohen me një “qeveri të fortë, të qëndrueshme të krahut të djathtë”, tha një zëdhënës.

Kryeministri Netanjahu kishte bërë fushatë duke trumbetuar aftësitë e tij udhëheqëse, bazuar në një program që u ka mundësuar gati 50% të izraelitëve të marrin dy dozat e vaksinës.

Por akuzat për ryshfete, mashtrime dhe thyerje të besimit, të cilat zoti Netanjahu i ka mohuar në gjyqin për të që vazhdon, si edhe vështirësitë ekonomike të izraelitëve pësuan gjatë tre bllokimeve në mbarë vendin për shkak të koronavirusit, kanë godiur popullaritetin e tij./VOA