Zgjidhet pasuesi i Merkel në krye të CDU



Zgjidhet pasuesi i Merkel në krye të CDU

15:57 16/01/2021

Armin Laschet pritet të vijojë politikat e saj

Armin Laschet është zgjedhur në krye të Kristian-Demokratëve gjermanë, partinë e Kancelares Angela Merkel. Ai njihet si një politikan racional i mbështetur kryesisht te idetë e qendrës së djathtë dhe që ka drejtuar vitet e fundit landin e Vestfalisë.

59-vjecari mundi në garë biznesmenin konservator Friedrich Merz në një balotazh me 521 vota pro dhe 466 kundër. Një kandidat i tretë u eliminua në raundin e mëparshëm në procesin që u zhvillua i gjithi online për shkak të pandemisë. Tashmë Laschet, i kërkohet të marrë në dorë partinë pasi Merkel të largohet në muajin shtator pas 16 vitesh në krye të vendit. Sfida kryesore e tij do të jetë përballimi i pandemisë.

Gjermania shkon në zgjedhje në vjeshtë dhe kreu i ri i CDU do ta ketë të vështirë të fitojë drejtimin e qeverisë. Laschet është konsideruar një mbështetës besnik i zonjës Merkel, në fjalimin e fitores ai tha se do të bënte gjithçka që kancelari i ardhshëm të ishte sërish nga CDU-CSU.

Unë jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë. Do të sigurohem që në zgjedhjet federale CDU-SCU të mund të vendosë kancelarin e ardhshëm”.

Ky votim duket se konfirmon vazhdimin e linjës së ndjekur nga Angela Merkel dhe për të mos devijuar te idetë e djathta konservatore. Vetë Merkel që gjatë fushatës nuk dha mbështetje të hapur për ndonjë nga kandidatët duket se indirekt kishte qëndruar në krah të Laschet.

Tv Klan






Të ngjashme