Luan Kapaj është zjarrfikësi hero nga Vlora, i cili rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar banorë të zënë nga rrënojat e banesave si pasojë e tërmetit katastrofik të 26 Nëntorit.

Këtë të hënë, kryeministri Edi Rama e dekoroi zjarrfikësin me Medaljen e Artë për Vlerësim Profesional. Kjo medalje iu është dhënë më parë trupave të kërkim-shpëtimit që erdhën në Shqipëri për të shpëtuar jetë pas tërmeti, por është hera e parë që i jepet një individi.

“Heroizmi i Luanit nuk ishte disa minuta, por shumë e shumë orë pa pushim, në kushte ekstreme stresi dhe me dridhjet e tokës që vazhdonin çka e bën atë një hero të një lloji shumë atë veçantë. Më vjen mirë që këtu kanë ardhur për ta respektuar Luanin dhe disa prej tyre që e kanë një jetë të dytë nga Luani. Sot dëshiroj t’i jap Luanit medaljen e Artë për Vlerësim Profesional, medalje që është krijuar prej disa kohësh dhe është dhënë për herë të parë vetëm për trupat e kërkim-shpëtimit që erdhën dhe na ndihmuan të shpëtojmë jetë shqiptare. Është e para që i jepet një individi. Shpresoj që duke ia dhënë këtë medalje Luanit, jo vetëm i japim medaljes një vlerë shumë të madhe, por e vendosim stekën shumë lartë për individë të tjerë që meritojnë të vlerësohen. Jam shumë i privilegjuar në këtë moment. Jam shumë i prekur që jam pranë teje sinqerisht sepse në kushtet e jetës së përditshme, njerëzit si ti që janë jo një e dy, por dhjetëra mijëra në Shqipëri janë thjesht në jetën e tyre dhe ne rrallë i shohim në vlerën dhe rëndësinë që kanë në punën që bëjnë. Të falenderoj shumë për gjithçka”, tha Rama.

Të pranishëm në ceremoninë e dekorimit ishin edhe dy qytetarët që Kapaj u shpëtoi jetën. Ata e falenderuan zjarrfikësin për punën. Ndërkohë Kapaj tha se do t’i shërbejë gjithmonë popullit

“Më shumë se sa krenar, kjo medalje më bën krenar për dy bashkëqytetarë që sot janë bashkë me ne, marrin ajrin e kësaj toke, shijojnë dritën e këtij dielli. Do t’i shërbej popullit tim deri në momentin e fundit të jetës sime”, tha ai./tvklan.al