Zyrtari i policisë: Këshillat si të mos mashtroheni për punë në vendet e BE



Zyrtari i policisë: Këshillat si të mos mashtroheni për punë në vendet e BE

22:00 03/02/2020

Të shumta janë rastet kur qytetarët shqiptarë mashtrohen nga oferta joshëse për t’u punësuar në vendet e Bashkimit Europian. Një rast të tillë trajtoi dhe emisioni “Uniko” në Klan Plus, që zbuloi skemën e mashtrimit nga Labinot Çitaku.

Ky i fundit u kishte marrë 350 Euro çdo personi me premtimin për t’i dërguar për punësim në Gjermani. Por asnjëri prej tyre nuk shkoi. Nga kjo skemë rezultojnë të mashtruar 107 persona, dhe dëmi në total i shkaktuar është rreth 40 mijë Euro.

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi, ishte i ftuar në “Uniko” për të folur për këtë tipologji. Minxhozi përmend disa skema mashtrimi të ngjashme, pre e të cilave kanë rënë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

“Personat që merren me këtë lloj veprimtarie të mashtrimit, janë të fokusuar tek interesi i qytetarit për t’u larguar ose për të gjetur një vend pune më të mirë. Në këtë këndvështrim, ato ndërtojnë strategji të ndryshme. Ne kemi pasur një rast 2-3 vite më parë që abuzonin me komunitetin rom duke ju thënë që ju mund të merrni të drejta sepse këtu nuk i keni dhe në Gjermani mund të merrni azil. Një tjetër formë që ka qenë tipike por sot është e ndaluar fare është rasti që përdornin duke marrë vërtetime nga shoqata pajtimesh, apo kryepleqsh sikur jemi në hasmëri, kemi probleme, dhe kjo ka qenë një formë tipike e mëparshme që sot nuk po përdoret më”.

Drejtori për Hetimin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit jep edhe këshilla për qytetarët, se si të bëjnë kujdes në raste të tilla. Sipas tij, mashtruesit përdorin edhe rrjetet sociale, të tilla si Facebook-u, ku krijohen kontaktet me qytetarët, të cilët i joshin për punë në vendet e BE-së, pasi u marrin paratë, humbasin çdo gjurmë.

“Ka pasur dhe një tipologji tjetër që duhet pasur kujdes, rrjetet sociale, siç është Facebook-u. Nëpërmjet Facebook-ut, njerëzit nga Suedia apo nga vendet e BE janë lidhur me vajza apo me djem në Shqipëri. Duke komunikuar, ju kanë ofruar që ne mund t’ju garantojmë punësim këtu dhe është e rëndësishme që ju të bëni një pagesë paraprake, qoftë 200, 300 deri në 500 Euro dhe njerëzit kanë rënë pre e këtij mashtrimi dhe duke bërë pagesa nëpër numra të caktuara llogarish dhe pastaj kanë vajtur dhe në Suedi ose dhe në vendet e BE, e nuk i ka pritur asnjeri. Ju është mbyllur telefoni, ju është mbyllur faqja e Facebook dhe kjo është një fushë që qytetarët duhet të kenë kujdes në komunikimet që qytetarët duhet të kenë.

Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka një plan të posaçëm për këto masa, ku ka detajuar dhe targetin e grupeve të prekshme dhe masat që duhet të ndërmarrë policia dhe që po ndërmerr. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen sepse sot ka hapësira për të marrë informacion për çdo subjekt me të cilën bien në kontakt dhe është shumë e rëndësishme që mos bien pre e mashtruese të cilët abuzojnë me lakminë e qytetarëve që kanë për t’u larguar jashtë vendit dhe abuzojnë në këtë fushë”, u shpreh Lutfi Minxhozi. /klanplus



Të ngjashme