Borxh për paga, pensione dhe interesa borxhi

Buxheti i shtetit mbylli një vit të vështirë nga pandemia, duke rezultuar për herë të parë që prej 2013-s me deficit më të lartë se shpenzimet për investime publike.  Zyrtarisht që prej muajit Maj, qeveria është detyruar që një pjesë të pagave, pensioneve dhe interesave të borxhit t’i shlyejë përmes marrjes së borxhit.

Në total janë 207 milionë Euro për këto zëra janë paguar me borxh, kundrejt 12 milionë Eurove të marra në 2013-n.

Por situata më e vështirë e cila rriti borxhin në 80% të prodhimit të brendshëm bruto është krijuar nga rënia e të ardhurave nga taksat për shkak të pezullimit për disa muaj të aktivitetit ekonomik dhe tkurrjes së konsumit gjatë pjesës tjetër të vitit.

Krahasuar me planifikimin fillestar të buxhetit përpara nisjes së pandemisë, të ardhurat janë tkurrur me 680 milion Euro, duke shënuar rënien më të lartë në dy dekadat e fundit.

Nga ana tjetër shpenzimet për pagat e luftës, ndihmën ekonomike dhe emergjencat shëndetësore u rritën me 245 milion Euro krahasuar me projeksionin fillestar, çka bëri që deficiti të arrijë në fund të vitit në 890 milionë Euro.

Viti që lamë pas konsiderohet si një nga më të vështirë për ekonominë dhe financat publike, ndërsa shpresat e qeverisë për këtë vit janë për një rritje të arkëtimeve nga taksat në vlerën e gjysmë miliard euro, por sërish më të ulta se planifikimet e fillimit të 2020-s, përpara valës epidemike që pushtoi vendin.

Tv Klan