Fotografia e një djali të vogël që fshin lotët krah trupit të pajetë të babait të tij ka prekur kaq shumë rrjetet sociale në Indi, sa në një ditë të vetme përdoruesit dhuruan më shumë se 43 mijë e 829 dollarë për familjen e tij.

Fotografia u shpërnda më shumë se 7 mijë herë vetëm në Twitter. Anil, 27 vjeç, ishte punonjës i kanalizimeve dhe vdiq pasi litari që e mbante të lidhur për t’u futur në kanal u këput dhe ai ra brenda.

Shiv Sunny, një reporter i The Hindustan Times, i cili postoi fotografinë të hënën në Twitter, duke folur për BBC tha se ishte tronditur nga djali i vogël 11-vjeçar që vajtonte humbjen e të atit.

“Jam reporter i krimeve dhe kam parë mjaft tragjedi, por kjo ishte diçka që nuk e kisha parë kurrë më parë”.

Sunny shpjegoi se e kishte bërë fotografinë pak minuta përpara se Anil të varrosej.

“Doja vetëm që të tërhiqja vëmendje për numrin e lartë të vdekjeve në mesin e punonjësve të kanalizimeve. Fotografia tregonte historinë e gjendjes së vështirë të kësaj familjeje”.

Përllogaritet se në vit, në Indi humbin jetën rreth 100 punëtorë të kanalizimeve. Sindikatat shpesh ia kanë hedhur fajin pajisjeve jo të sigurta me të cilat punojnë.

Një javë më parë, Anil kishte humbur nga pneumonia djalin e tij vetëm 4 muajsh, pasi nuk kishte para për të blerë ilaçe. Ai kishte gjithashtu dy vajza të vogla të moshës 7 dhe 3 vjeç.

Postimi i Sunny tërhoqi vëmendjen e një fondacioni që kërkoi ndihmë për të grumbulluar para për të ndihmuar familjen e 27-vjeçarit. Dhe përgjigja ishte e jashtëzakonshme.

/tvklan.al