Rriten shtrimet në spitale, 39 në gjendje të rëndë

Vijojnë të mbeten të larta humbjet e jetëve nga koronavirusi në vendin tonë. Gjatë 24 orëve të fundit e kanë humbur betejën me virusin 12 qytetarë të tjerë duke e çuar në 822 numrin total të viktimave që nga nisja e pandemisë në vendin tonë. 5 prej tyre janë nga Tirana, 2 nga Elbasani dhe nga 1 nga Vlora, Berati, Lushnja dhe Peqini.

Shqetësuese mbetet situata në 4 spitalet Covid, ku është rritur sërish numri i pacientëve të hospitalizuar dhe atyre në gjendje të rëndë. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se aktualisht po trajtohen 506 pacientë, 39 në terapi intensive, 11 prej tyre në gjendje kritike, të intubuar.

Në 24 orët e fundit janë rritur sërish edhe infektimet ditore. Sipas autoriteteve shëndetësore janë kryer 2176 testime nga të cilat janë konfirmuar 832 raste të reja. Harta e përhapjes së virusit vijon të mbetet e shtrirë në gjithë vendin, por Tirana është konfirmuar sërish si vatra më e nxehtë me 430 raste të reja, pas saj vjen Fieri me 100 infektime, Durrësi me 33 raste. Aktualisht në mbarë vendin janë 18.808 raste aktive me Sars-Cov 2.

Tv Klan