Lihen në fuqi vendimi edhe për dy bashkëpunëtorët e tij

Arber Çekaj do të vuajë 14 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Arbër Çekajn, duke e dënuar atë përfundimisht me 14 vite heqje lirie.

Ai akuzohet për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë që u gjetën në vitin 2018 në një kontejner me babain që ishin porositur nga kompania “Arbri Garden”, në pronësi të Arbër Çekajt.

Prokuroria kishte kërkuar 21 vite burg për Çekajn, kërkesë e cila u pranua edhe nga Gjykata, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Çekaj përfitoi ulje të dënimit me një të tretën, duke u dënuar përfundimisht me 14 vjet burg.

Gjithashtu gjykata ka lënë në fuqi edhe dënimin me 10 vjet e 8 muaj burg për Donaldo Lushajn, administrator i kompanisë, ndërsa shoferi i kamionit Armando Pezaku që çoi kontejnerin në magazine u dënua me 8 vite e 8 muaj. Edhe ata përfituan ulje të masës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ndërkohë Avokati i Arbër Çekaj, Maks Haxhia reagoi ashpër pas këtij vendimi duke e quajtur gjykatën “notere e prokurorisë”.

“Gjyqtari doli me një letër bakalli dhe është për të ardhur keq që kjo gjykatë është kthyer në një gjykatë noterësh të prokurorisë edhe pse është thënë kjo disa herë. Është për të ardhur keq që perspektiva e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në procesin penal shkelet me të dy këmbët me një gjykatë që nuk ma lejon edukata, sepse këta meritojnë çfarëdolloj etiketimi që t’u japësh. Ishte një gjykatë që dënoi një njeri pa asnjë prove. Dhe jo vetëm kjo, por nuk mori në konsideratë dhe nuk i dha as të drejtën të mbrohej në konkluzionet përfundimtare. Nuk e la që të fliste konkluzionet përfundimtare. Prandaj dhe Arbër Çekaj solli sot me shkrim dore të gjithë mbrojtjen e tij dhe nuk ia pranoi”.

Në burg gjendet edhe babai i Arbër Çekajt, Selim Çekaj, i cili u arrestua në Prill të këtij viti, pasi në një kontejner me banane të porositura prej kompanisë së administruar prej tij në Ekuador u gjetën 49 kg kokainë.

Tv Klan