Mbetet i lartë numri i pacientëve në terapi intensive

17 qytetarë të tjerë humbën jetën nga COVID-19 brenda 24 orëve, duke e çuar në 922 numrin total të viktimave nga koronavirusi në Shqipëri. 5 prej pacientëve ishin nga Tirana, 2 nga Elbasani, Përmeti dhe Fieri, ndërsa pacientët e tjerë I përkisnin Shkodrës, Përrenjasit, Lushnjes, Gjirokastrës, Kavajës dhe Shijakut. Mosha e pacientëve varionte nga 58 deri në 79 vjeç.

Edhe pse 145 infektime më pak se një ditë më pare, numri i personave pozitiv me Sars-Cov2 vijon të jetë i lartë. Nga 1.963 testime të kryera në 24 orë rezultuan të prekur me koronavirus 659 persona. Me numrin më të lartë të të infektuarve kryeson Tirana me 281 persona, e ndjekur nga Elbasani me 65, Fieri me 59 dhe Lushnja me 51 raste.

Shqetësuese mbetet situata në 4 spitalet COVID, pasi numri i të shtruarve është i lartë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 463 pacientë po trajtohen aktualisht në këto struktura, 37 prej tyre në terapi intensive dhe 9 në intubim.

Aktualisht 20.581 persona janë të infektuar aktive, ndërsa numrin më të lartë e mban kryeqyteti me mbi 11 mije të tillë. Të shëruar në 24 orët e fundit llogariten të jenë 563 qytetarë.

Tv Klan