Ballkani, vatra më aktive e koronavirusit në Europë

Koronavirusi shënoi të tjera shifra të larta duke tejkaluar kuotën e 18 milionë të prekurve në gjithë botën, që prej nisjes së pandemisë. Të vdekurit përbëjnë 3.8% të totalit të të prekurve, ndërsa 62% e tyre janë shëruar.

Një vatër e madhe në Europë mund të konsiderohet Ballkani, ku thuajse në të gjithë shtetet ka pasur rritje të ndjeshme të infektimeve dhe viktimave. Rumania renditet si vendi më i prekur me mbi 1200 raste të reja dhe 36 viktima në 24 orët e fundit. Ballkani Perëndimor numëron mbi 65 mijë të prekur sa ¼ e rasteve të Italisë. Serbia kryeson me afro 26 mijë të prekur dhe mbi 580 viktima. Ritmet e infektimeve janë të larta pasi orët e fundit janë njoftuar 330 raste të reja dhe 9 jetë të humbura.

Serbia ndiqet nga Bosnja dhe Maqedonia e Veriut, ku numri i të prekurve shkon deri 12 mijë. Ndërsa Maqedonia e Veriut ka 154 të vdekur më shumë se Bosnja.

Ndërsa Kosova është një nga shtetet që në raport me numrin e popullsisë ka pësuar një përkeqësim të ndjeshëm të situatës. Ndërsa Mali i Zi numëron 50 viktima, i vetmi vend i rajonit me më pak se 100 të vdekur. Një numër në rritje të rasteve të reja në orët e fundit raportoi edhe Greqia. Autoritetet shëndetësore greke folën për 110 raste të konfirmuara së fundmi, gati dyfish më shumë se mesatarja e ditëve të fundit.

Shtetet e Bashkuara vijojnë të jenë në krye të renditjes globale për nga numri i të prekurve me mbi 4.7 milionë.

Australia është një tjetër vend që po mbyll ekonominë në disa rajone për të frenuar përhapjen e COVID-19ës.

Tv Klan