Opozita dhe “Aleanca për Teatrin” protestuan sërish këtë të premte përpara Bashkisë së Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj.

Sipas tyre, Veliaj është pjesë e aferave në të cilën janë përfshirë disa prej drejtorëve të Bashkisë së Tiranës për abuzime me tenderat dhe përfitimet e milionave përmes kompanisë “5D”.

Ashtu si në protestat e shkuara, edhe këtë të premte protestuesit nuk shmangën hedhjen e molotovëve apo mjeteve të tjera piroteknike.

Të udhëhequr nga përfaqësues të opozitës dhe Alenca për Teatrin, protestuesit tentuan disa herë të çajnë kordonin e policisë, duke u përplasur me forcat e rendit.

Policia njofton se pas përfundimit të protestës ka arrestuar dy shtetas nga Borizana e Krujës pasi në të dy protestat e fundit kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë, kanë hedhur lëndë piroteknike e molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Bashkisë së Tiranës.

Protestat e mbajtura përpara Bashkisë së Tiranës vijnë pas arrestimeve të 3 drejtorëve të saj nga SPAK, pas dyshimeve se gjatë ushtrimit të detyrës së tyre kanë kryer korrupsion dhe pastrim parash.

Tv Klan