61 raste të reja, zgjerohet harta e qyteteve të prekura

Thellohet bilanci i viktimave nga Covid në vendin tonë. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën edhe dy persona të tjerë duke e çuar në 53 numrin total të viktimave. Ndërkohë që janë konfirmuar edhe 61 raste të reja. Arrin në 53 numri i viktimave në Shqipëri nga Covid-19. Gjatë 24 orëve të fundit, dy pacientë në Spitalin Infektiv kanë ndërruar jetë për shkak të koronavirusit.

“Një 59-vjeçare nga Lushnja me insuficencë renale kronike dhe disa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe një pacient 77- vjeçar nga Vlora, i cili vuante nga hipertensioni, që trajtohej prej 10 ditësh në terapi intensive nuk kanë mundur të mbijetojnë, pavarësisht mjekimit intensiv dhe përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor”.

Sipas mjekes Nevila Gjermeni, pacientët që ndërrojnë jetë paraqiten në spital me shenja të rënda klinike, edhe për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese. 61 persona kanë rezultuar pozitivë në tamponin për Covid, shumica e tyre janë raste në ndërmarrje me shumë punëtorë.

“Kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 355 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 61 raste pozitive. 12 të prekur në Tiranë, 11 në Vlorë, 7 në Durrës, nga 5 raste në Kukës dhe Divjakë, nga 3 raste në Pukë, Korçë, Kurbin, 2 në Krujë dhe nga 1 rast përkatësisht në Shkodër, Fier, Lezhë, Has, Mirditë, Kamëz, Sarandë, Fushë-Arrëz, Selenicë, Belsh”.

Edhe numri i të shtruarve në spital ka pësuar rritje.

“Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 81 pacientë, 12 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar”.

Në vend janë 931 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Për të parandaluar përhapjen e Covid-19, bluzat e bardha rekomandojnë që të përdoren maskat në ambiente pune dhe ato të populluara.

Tv Klan