Arrestohet nga policia, në pranga edhe 2 persona të tjerë

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 20-vjeçar pasi ka tentuar të vrasë 1 person pas një konflikti të çastit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vrakë, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të premtes.

20-vjeçari Klaudio Kurteza po zihej me 37-vjeçarin Jasmin Pepaj. Për motive të dobëta, i riu ka qëlluar një herë me armë mbi Pepajn, por fatmirësisht plumbi nuk e ka prekur duke mos i shkaktuar asnjë dëmtim në trup.

Mbërritja e policisë bëri të mundur që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i këtij konflikti. Kurteza sapo ka parë policinë është larguar me shpejtësi, por është kapur pas ndjekjes nga autoritetet.

Atij iu gjet dhe sekuestrua edhe pistoleta me silenciator. I riu e kishte hedhur në rrugë gjatë ndjekjes së policisë. Po ashtu në sekuestrim u vu edhe automjeti me të cilin tentoi të largohej.

Në vijim të veprime, policia arrestoi në flagrancë Arian Pepajn, 45 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit në pronësi të tij, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi birre në shishe pa pullë fiskale, një tavolinë pokeri, dy pako letra bixhozi dhe një pako çipsa për lojë pokeri.

Edhe Jasmin Pepaj u vu në pranga pasi kishte në pronësi tavolinën e pokerit. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje./tvklan.al