Kristina është një vajzë nga Korça e cila prej 2 vitesh jeton në Leipzig të Gjermanisë. Duke qenë se e ka fobi avionin, ajo ka udhëtuar 24 orë me autobus për të ardhur në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në “E Diela Shqiptare” për t’i dhënë një mesazh babait dhe gjyshes së saj.

“Unë kam thërritur sot dy njerëzit më të shtrenjtë, gjyshen dhe babain”,

thotë Kristina teksa shpjegon se gjyshja është një njeri shumë i rëndësishëm për të pasi është kujdesur gjithmonë.

“Mua më ka pikë të dobët”

, thotë ajo, teksa shpjegon gjithashtu se nga katër fëmijët që janë, gjyshja e ka pikë të dobët pasi i ngjan më shumë.

Kristina kërkon që gjyshja e saj të vijë të jetojë në Tiranë. Ajo jeton e vetme në fshat, pasi prej rreth 4 vitesh më parë humbi bashkëshortin.

“Dua që të vijë të jetojë në Tiranë me mamin, babin dhe vëllain tim”,

thotë Kristina.

E pyetur nga Ardit Gjebrea nëse babai i ka kërkuar nënës së tij që të vijë të jetojë në Tiranë, Kristina shpjegon:

“Po edhe babai i ka thënë, por ky është problemi që gjyshja nuk vjen të jetojë në Tiranë”.

Ardit Gjebrea: Domethënë nuk ka problem nusen po ka problem djalin? Po cili është problemi?

“Babai im është shofer, ka punuar që në kohën e Enverit. Dhe duke punuar shofer, duke takuar shumë njerëz, iu është dashur të kthejë edhe ndonjë gotë… Këtë pjesë gjyshja ime nuk e toleron fare. Është shumë kokëfortë.”

Ardit Gjebrea: Po ti jeton në Gjermani…

“Po unë jetoj në Gjermani, por gjatë gjithë kohës mendjen e kam tek ajo

“, përgjigjet Kristina.

Ajo tregon më tej disa episode nga fëmijëria, ndërsa nuk harron të kujtojë se kur fitoi studimet e larta në Tiranë dhe babai i tha se nuk do të shkonte sepse nuk kishin mundësi ekonomike, gjyshja ofroi pensionin e saj, vetëm që Kristina të studionte atë që kishte dëshirë.

E pyetur se përse e ka thërritur babain, Kristina shpjegon:

“Ai ka punuar jashtëzakonisht shumë për të na bërë këta që jemi sot. Ai ka pothuajse një vit që nuk ka qenë mirë. Doktori ia ka ndaluar kategorikisht alkoolin dhe duhanin. Babai ka treguar një vullnet shumë të madh duke e lënë duhanin pas 30 vitesh, por alkoolin prapë vazhdon të kthejë ndonjë gotë”.

Pikërisht ky duket se është edhe problemi, që e pengon gjyshen e saj të vijë të jetojë me djalin e saj në Tiranë, pasi ajo nuk e pranon që i biri të konsumojë qoftë edhe fare pak alkool.

/tvklan.al