Një djalë i ri është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda makinës së tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Babicë të Vlorës. Makina ishte e ndaluar në anë të rrugës nacionale dhe u konstatua rreth orës 07:35.

Mësohet se viktima është Xhuljan Bullari 25 vjeç. Burime nga policia thonë se i riu ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Nuk është ende e qartë nëse 25-vjeçari është vrarë nga persona të tjerë apo është vetëvrarë.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për këtë rast të rëndë.

ZHVILLIMET HAP PAS HAPI

Informacioni paraprak i Policisë së Vlorës:

Më datë 21.08.2021, rreth orës 07:35, në aksin rrugor Vlorë-Babicë, në rrethanave ende të paqarta, është gjetur pa shenja jete brenda në automjet, një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 25 vjeç, dyshohet se ka humbur jetën nga përdorimi i armës së zjarrit.

Shërbimet e Policisë kanë mbritur menjëherë në vendngjarje. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

10:00 – Pamjet nga vendngjarja, ku u gjet i vrarë me plumb në kokë 25-vjeçari

Në këtë rrugë që lidh fshatin Babicë me Vlorën u gjet i vrarë brenda makinës një djalë i ri 25 vjeç. Viktima ndodhet në morgun e Spitalit të Vlorës.

Nga burime policore mësohet se 25-vjeçari Xhuljan Bullari është qëlluar me plumb në kokë. Dyshohet se ai është ekzekutuar nga persona të tjerë.

Policia e gjeti 25-vjeçarin të vrarë brenda automjetit të ndaluar në anë të rrugës Vlorë-Babicë rreth orës 07:35 të mëngjesit të së shtunës. Kanë qenë banorë të zonës të cilët panë trupin e pajetë brenda mjetit dhe më pas njoftuan uniformat blu.

Pasi shkuan në vendngjarje, efektivët konstatuan se kishin të bënin me vrasje. Dyshimet e para ishin se i riu mund të ishte vetëvrarë. Por nga rrethana dhe dinamika e deritanishme ka dyshime të forta se kemi të bëjmë me vrasje.

Grupi hetimor i ngritur për këtë çështje ka nisur hetimet për të zbardhur tërësisht dinamikën si dhe për të zbuluar e identifikuat autorët. Po kështu shkaqet e vrasjes janë të paqarta.

10:38 – Kjo është makina tip Fiat me targa të Tiranës brenda së cilës u gjet i vrarë 25-vjeçari në Vlorë

Brenda një makine tip Fiat Punto ngjyrë jeshile u gjet i vrarë me armë 25-vjeçari Xhuljan Bullari mëngjesin e sotëm në fshatin Babicë të Vlorës.

Korrenspondenti i Klan News në Vlorë, Elizbon Haruni na sjell pamjet nga vendngjarja të automjetit tip Fiat të ndaluar në anë të rrugës që lidh fshatin Babicë me qytetin e Vlorës.

Në këtë automjet me targa të Tiranës, TR 3784 R, u gjet trupi i pajetë i 25-vjeçarit. Burime nga policia bëjnë me dije se i riu ka plagë të shumta në kokë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Makina u konstatua nga banorë të zonës të cilët njoftuan më pas edhe policinë. Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur dinamikën dhe identifikuar e arrestuar autorët. 

/tvklan.al