254 objekte do të shemben nga “Bregdeti ynë”


254 objekte do të shemben nga “Bregdeti ynë”

17:00 21/06/2021

Seferi: Aksioni deri në fund të Qershorit, IKMT do prishë ndërtimet pa leje në vijën e dytë të bregdetit

Në dy javët e para të operacionit “Bregdeti ynë”, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur 58 objekte pa leje. Zv.kryeinspektori, Guri Seferi, thotë për Klan News se aksioni ka vijuar nga Veriu në Jug.

 “Janë prishur në Ksamil 22 objekte, në Velipojë 11 objekte, në Shëngjin 10, në Sarandë 5 që po vazhdon aksioni dhe në Durrës 10”.

Seferi shprehet se ndërhyrja e radhës do jetë në Vlorë, për të vijuar me qarkun e Tiranës dhe së fundmi me Fierin.

Do vazhdojë në qarkun e Vlorës, pjesa e rivierës që nga Borshi deri në Dhërmi. Pastaj me Tiranën që është bregdeti i Kavajës dhe i Rrogozhinës dhe në fund mbetet qarku i Fierit”.

I pyetur se përse shembjet nisën pikërisht në fillim të sezonit turistik, zyrtari i IKMT sqaron se kjo vjen për shkak të procedurave të zgjatura, apo dhe ristrukturimit të institucionit.

Të bësh një aksion siç është ky aksioni “Bregdeti ynë” do të thotë që do njëfarë kohe dhe kjo do 3-4 muaj. Biznesit të rregullt të ligjshëm i lë hapësirë për të kryer funksionin e shërbimit të tyre për turistët. E dyta, turistëve iu krijohen kushte çlodhëse e sipërfaqe më të mëdha”, tha Seferi.

Operacioni “Bregdeti ynë” është planifikuar të zgjasë deri në fund të muajit Qershor, ku janë përcaktuar 254 objekte për t’u shembur. Pas këtij aksioni, një tjetër fushatë do ndërmerret për prishjen e ndërtesave pa leje, në vijën e dytë bregdetare.

Klan News







Të ngjashme