4 viktima dhe 299 raste të reja me Covid



4 viktima dhe 299 raste të reja me Covid

16:04 25/10/2020

Rekord të shtruarish në spitale

Katër qytetarë të tjerë nuk e kanë fituar dot betejën me koronavirusin në 24 orët e fundit, duke e çuar në 477 numrin total të viktimave që nga shfaqja e pandemisë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve kanë humbur jetën një 64-vjeçar nga Elbasani, një 65-vjeçar nga Tropoja, një 77-vjeçar nga Tirana dhe një 81-vjeçar nga Gramshi.

Të larta vijojnë të mbeten infektimet ditore. Autoritetet shëndetësore raportuan për 299 raste të reja të zbuluar në 1315 testime të kryera. Harta e përhapjes së virusit edhe në këto 24 orë përfshinë thuajse gjithë vendin, ndërsa vatra kryesore vijon të mbetet Tirana e cila ka shënuar plotë 184 raste të reja, e ndjekur nga Korça me 23 raste dhe Vlora me 12 raste.

Situata paraqitet problematike në dy spitalet Covid, ku numri i shtretërve për pacientët e shtruar me koronavirus është drejt ezaurimit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë numri i pacientëve që po marrin trajtim të specializuar në këto spitale ka shënuar një rekord të ri me 271 persona, 16 në terapi intensive, 9 prej të cilëve gjenden të intubuar.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 106 qytetarë, duke e çuar numrin e atyre që e kanë fituar betejën me Covid në 10654, ndërkohë që 8026 raste mbeten aktive.

Tv Klan




Të ngjashme