Lulzim Basha thotë se politika e jashtme nën drejtimin e tij do të ketë 3 parime kyçe. Ndër to janë partneriteti strategjik me SHBA-në që sipas tij nuk duhet të mbetet vetëm parullë, anëtarësimi në BE dhe nxitja e bashkëpunimit rajonal efektiv.

Kreu i demokratëve u shpreh se qeveria Rama i ka vënë shkelmin një tradite të krijuar nga Shqipëria në frymën e bashkëpunimit të politikës së jashtme.

“Për fat të keq edhe kësaj tradite i është vënë shkelmi. Qoftë s i përket qasjes për Kosovën, ku nën rrogoz është punuar kundër objektivave kombëtare të një Kosove shtet i pavarur, unik, integral në përputhje me parimet e paketës Ahtisari si kompromis kombëtar jo thjesht kosovar, por kombëtar i shqiptarëve drejt njohjes së ndërsjellë me Republikën e Serbisë dhe drejt rrugëtimit të saj për tu bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së. Përpjekja për ndryshim kufijsh dhe shkëmbim territoresh shkonte kundra kësaj dhe kundër arkitekturës së brishtë të paqes që u ndërtua nga SHBA, NATO dhe BE këto vite. Ishte diçka unilaterale e paparë në këto 30 vite, kur edhe në kohën kur partitë politike shqiptare kanë qenë në kulmin e armiqësisë prapë se prapë për këto çështje ka pasur gjithmonë një dakordësi”, tha Basha.

Sa i përket marrëdhënieve me Greqinë, Basha u shpreh se u ka përsëritur autoriteteve atje gjatë takimeve të fundit se qëndrimi i tij është që marrëveshja e kthyer nga Gjykata Kushtetuese të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare.

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe ka qenë i qartë prej fillimit. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka vetëm një rrugë që është gjykata ndërkombëtare. Këtë qëndrim e kam bërë të qartë prej  viteve. Ua kam përsëritur autoriteteve greke gjatë vizitave të fundit dhe kontakteve me ta. Në këtë kuadër duhet të mbizotërojnë të gjitha parimet e njohura dhe të zbatueshme duke përfshirë ato të mos ndryshimit të rregullave në mes të lojës. Edhe me Greqinë, Shqipëria ka interes kombëtar dhe duhet të prijë interesi kombëtar i marrëdhënieve sa më të mira të fqinjësisë dhe i rritjes së bashkëpunimit në një potencial të madh akoma të pashfrytëzuar”./tvklan.al